Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbrojti sot (13 mars) para gazetarëve listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 majit, duke pranuar se tashmë Primaret ishin zhbërë dhe në to u përfshinë “qëndrestarët”.
Ai shpjegoi se u përfshinë persona që për katër vite sipas tij luftuan mafien sorosiane dhe bënë betejë. Lista e PD-së konfirmoi se në vende të sigurta u përfshinë të gjithë mbështetësit e Berishës me Foltoren apo klani i tij, duke lënë jashtë tyre shumë emra të njohur që ishin rreshtuar me Lulzim Bashën deri një vit më parë.
“Ka në listë burra, gra, djem dhe vajza që kanë bërë gjatë këtyre 4 viteve qëndresën e tyre ndaj mafies sorosianë dhe narkoshtetit. Betejë për sovranitetin e brendshëm të një vendi. Shqiptarët panë mbrëmë listën e atyre me një numër të pafundëm denoncimesh dhe me regjimin më të korruptuar në botë, që bën avokatinë në parlamentin shqiptar dhe kudo. Te ne, shqiptarët panë një garë mahnitëse, kandidatët e tyre nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze, Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafias shqiptare, por erdhën nga vota dhe konsulta e anëtarëve të PD-së
Gjithashtu mbrojti koalicionin që e quajti madhështor, duke përsëritur se aletatët e PD-së përbëjnë 26% të votave, teksa listën e kryeministrit Edi Rama e cilësoi si të SKAP-it dhe mafias.
“Koalicioni më i gjerë që ka ndodhur ndonjëherë. Koalicion që është faktor madhor i fitores më 11 maj. Kryetarët e kësaj aleance përfaqësojnë 26% të votave të shqiptarëve, pa ato të PD-së. Ndërkohë shqiptarët panë listën e SKAP-it në krahun tjetër. Të gjithë ministrat me dosje kuintalëshe në shpinë u futën njëri pas tjetrit në listën e mbrojtur, për shkakun e vetëm se kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën. Se ata që nuk kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën por kanë ngrënë dardha veçmas, ata morën udhën. Ministrat si lubia (Belinda Balluku), që ka administruar 12 mld euro të shqiptarëve që kanë avulluar në drejtime të paditura”, tha ai.
Më tej lakoi të gjithë drejtuesit politikë të PS-së në qarqe duke i akuzuar për aferat korruptive dhe se ky ishte shkaku i avokatisë me përfshirje në listë të mbyllur nga Rama, që t’i mbronte nga padrejtësitë.
“Lista e Ramës është lista e Skapistëve, e atyre që hyjnë e dalin në Skap, e shkojnë me paturpësi për të kërkuar votën qytetarëve për t’u mbrojtur nga padrejtësia. Lista e mbyllur e Ramës është lista e mafias dhe e Skapit. Po lista e hapur? Hajdutë dhe patronazhistë. Lista tjetër patronazhistë e të tjerët kërkoni në Google për të gjetur se çfarë janë. Le të flasi sa të dojë, monologun e mëngjesit ta zgjasi, por s’mund të mbulojë problematikat e tmerrshme të listës, ato do i mbulojë 11 maji, Ramën dhe shpurën e tij”, u shpreh kreu i selisë blu.
Pyetjeve për lënien jashtë listave të shumë figurave të PD-së, duke përfshirë vetëm besnikët e tij, Berisha e mohoi, duke thënë se një pjesë kishin zgjedhur jetnë e tyre private që më parë.
“Një pjesë nuk është e vërtetë se e kanë braktisur se s’janë në listë të sigurt. Një pjesë tjetër kanë njoftuar edhe më parë që të kos kandidojnë dhe kanë preferuar të vazhdojnë jetën e tyre private. Në përgjithësi deputetët kanë pranuar verdiktin e listës. Nuk po flas për ndonjë që nuk e pranoi verdiktin, por unë mendoj se beteja me Ramën dhe kundër tij zhvillohet jo nga opozitat e opozitës, që ndihmojnë Ramën, por ajo zhvillohet në gjirin e aleancës më të madhe që ka njohur Shqipëria”, nënvizoi ai.
Kurse për deklaratat e Dashnor Sulës dhe kalimin tek koalicioni “Djathtas për zhvillim”, i cili u mor në mbrojtje edhe nga Rama, Berisha e quajti si “puthja e Judës” apo “opozita e opozitës”.
“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, që ka karrierën e tij. Por hapi që bëri, të rrjeshtohet me opozitën e opozitës, de fakto patericë e Edi Ramës, nuk është zgjidhja e duhur, megjithëse unë e respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë së çdo individi”, përfundoi ai dhe teksa harroi të lexonte disa statistika u kthye sërish pas dhe shtoi se nga 186 kandidatë të listave të hapura, 39% janë gra, 24% të rinj dhe 7 përfaqësues të diasporës./ S,M