Armët amerikane vazhdojnë të shkrepen në fushëbetejë në Ukrainë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Armët e prodhimit amerikan janë duke u përdorur vazhdimisht në fushëbetejat e Ukrainës, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar përkohësisht furnizimin e Kievit me armë.

Furnizimi me municione dhe armë rifilloi më 12 mars, pasi ishte pezulluar për gati një javë. Pezullimi ndodhi si rrjedhojë e një përplasjeje në Zyrën Ovale mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 28 shkurt.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Maryan Kushnir, u takua me trupa në vijën e frontit në rajonin lindor, Donjeck, në fillim të marsit.

Ai i gjeti ata duke e përdorur obusin amerikan, Paladin, dhe automjetet luftarake Bradley, si dhe obusin M777, i cili prodhohet në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Këto armë përdoreshin vazhdimisht. “Trupat ukrainase kanë hapur zjarr intensiv pranë [qytetit të] Kurahovit”, tha Kushnir, duke qëndruar pranë një M777-shi.

“Sapo kanë qëlluar më shumë se 20 predha dhe zjarri nuk është ndalur. Kjo lloj artilerie mbërriti në vitin 2022 nga Shtetet e Bashkuara. Ka shumë armë të tilla në vijën e frontit dhe ato përdoren gjerësisht, ashtu si edhe predhat me kalibër të NATO-s. Zjarri nuk ndalet kurrë, siç mund ta shihni”, tha ai.

Ushtarët që i intervistoi Kushnir thanë se besojnë që pezullimi i ndihmës ushtarake ka pasur pak ndikim deri tani.

“Për sa di unë, ne po prodhojmë predha tani, kështu që nuk mendoj se do të kemi probleme me furnizimin”, i tha Kushnirit një ushtar i paidentifikuar. “Dhe do t’i kemi ende këto armë. Nëse ndodh diçka në të ardhmen, mund t’i riparojmë. Ato po riparohen dhe po rikthehen në gjendje pune që t’i përdorim sërish”.

“Nuk është vetëm Amerika që po na ndihmon”, tha një ushtar tjetër i paidentifikuar. “Ne do të rezistojmë dhe kjo situatë do të përfundojë”.

Lexo edhe :  Negociatat e integrimit/ BE synon hapjen e të gjithë grupkapitujve këtë vit

Sipas Institutit Kiel për Ekonominë Botërore, me bazë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara ofruan 67 miliardë dollarë ndihmë ushtarake nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022 deri në dhjetor 2024.

Evropa ofroi 65 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë. Fedir Venislavsky, i cili është anëtar i Komitetit të Mbrojtjes në Parlamentin ukrainas, vlerësoi në fillim të marsit se furnizimi i Ukrainës me armë do të mjaftojë vetëm për gjashtë muaj pa ndihmën ushtarake të SHBA-së./k.k

Të fundit

U fut në listat e mbyllura/Iris Luarasi: Më këshilluan të kem kujdes nga njerëzit e afërt

Pa dyshim që një nga emrat suprizë e listës të socialistëve për zgjedhjet e 11 Majit ishte pedagogia Iris...

Gjermani, arrihet marrëveshja historike për planin gjigant të shpenzimeve

Kancelari i ardhshëm konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz ka arritur një marrëveshje me të Gjelbrit për një plan masiv shpenzimesh për të çliruar qindra...

Në çfarë rrethanash mund t’i hiqet karta e gjelbër një banori të përhershëm?

Arrestimi i aktivistit palestinez me statusin e banorit të hershëm në Shtetet e Bashkuara Mahmoud Khalil, i cili luajti një rol të spikatur në protestat...

Situatë emergjente në Firenze, kërkohet shtyrja e sfidës Fiorentina-Juventus

Dueli mes Fiorentinës dhe Juventusit, rrezikon të mos zhvillohet. Këto janë raportimet e fundit që vijnë nga Italia.   Shirat e rrëmbyeshëm që po godasin...

Aksident në autostradën Thumanë- Laç, makina përplas këmbësorin, humb jetën

Një aksident me vdekje ka ndodhur në autostradën Thumanë-Laç. Një makinë tip Audi me drejtues F.T ka goditur për vdekje një këmbësorë i cili nuk...

Lajme të tjera

Web TV