Infrastruktura gjermane kërkon miliarda euro

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në Dresden, një qytet barok me famë botërore, më 11 shtator të vitit të kaluar, një nga katër urat mbi lumin Elbe u shemb. Është pothuajse një mrekulli që nuk pati viktima në njerëz. 800,000 njerëz jetojnë në zonën më të gjerë të qytetit dhe dy milionë turistë e vizitojnë qytetin çdo vit. Një tramvaj kaloi mbi urë atë natë vetëm 18 minuta para se ura të shembej.

Shkaku u gjet shpejt. Korozioni ka shkatërruar çelikun që ishte ndërtuar në urë nga viti 1967 deri në 1971: Kjo ka shkaktuar debate të shumta në të gjithë Gjermaninë. Mijëra ura janë në gjendje kaq të keqe saqë do të duhej të riparoheshin ose duhet të hiqen urgjentisht nga përdorimi dhe të ndërtohen ura të reja.

Të paktën pesë miliardë në vit

Vlerësohet se në Gjermani ka rreth 130.000 ura. Në autostrada dhe në rrugët e rëndësishme federale ka rreth 40,000 ura, që kalohen çdo ditë nga miliona njerëz në trafik. Vitin e kaluar nga buxheti i shtetit janë ndarë 4.6 miliardë euro për rregullimin e autostradave dhe rrugëve të tjera, përfshirë edhe urat.

Qeveria, mandati i së cilës sapo po përfundon, ka ndarë pesë miliardë euro për këtë vit. Kompania shtetërore e mirëmbajtjes së autostradave “Autobahn-GmbH” u shpreh se kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme.

Gjermania po dëmton substancën e vetë

Jo vetëm urat, por janë dëmtuar edhe rrugët dhe hekurudhat, infrastruktura e furnizimit me energji dhe ujë, rrjetet e telekomunikacionit, shkollat, universitetet dhe spitalet. Si infrastruktura teknike ashtu edhe ajo sociale janë lënë pas dore për dekada.

Krahas gjithë kësaj, vërehet edhe një vonesë e dukshme në modernizim. Digjitalizimi i vendit po ecën shumë ngadalë. Ndërtimi dhe rinovimi i infrastrukturës në përputhje me qëllimet klimatike është larg nga përfundimi.

Ekonomistët kanë paralajmëruar prej kohësh politikanët se nevojiten investime shtesë. Instituti për Ekonominë Gjermane deklaroi verën e kaluar shumën totale të investimit të nevojshëm: 600 miliardë euro.

Po punohet në 40 linja hekurudhore

Më së shumti para nevojiten për infrastrukturën federale. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Transportit, deri në vitin 2029 do të nevojiten 25 miliardë euro shtesë për rregullimin e rrugëve federale. Ndërsa në planet ekzistuese për rregullimin e rrjetit hekurudhor nevojiten edhe 13 miliardë euro të tjera. Hekurudhat Gjermane (Deutsche Bahn) synojnë të rinovojnë 40 nga linjat më të rëndësishme, që mbulojnë një gjatësi prej 4.200 kilometrash, deri në vitin 2030.

Stacioni i trenit Stuttgart 21 tregon se projektet e infrastrukturës mund të jenë jashtëzakonisht të shtrenjta. Ky ndërtim ka zgjatur 15 vjet, ndërsa kostot janë rritur nga 4 miliardë sa ishin parashikuar në 11 miliardë euro në fund.

Shoqata Federale e Industrisë Gjermane llogariti në qershor 2024 se 165 miliardë euro do të nevojiteshin për investime në infrastrukturën e transportit. Ministri i Transportit i qeverisë në largim, Volker Wissing, donte të krijonte një fond të madh infrastrukture gjatë mandatit të tij që do të tërhiqte kapital privat, por kjo nuk ndodhi.

Rrjeti i energjisë elektrike

Për ndërtimin e mëtejshëm të rrjetit të energjisë elektrike nevojiten shuma të mëdha. Energjia e erës përdoret kryesisht në veri të vendit. Për të transportuar këtë energji në jug, nevojiten rrjete adekuate. Sipas llogaritjeve të kompanive të transportit të energjisë, duhen investuar rreth 55 miliardë euro. Deri në vitin 2033 nevojiten 10 miliardë euro shtesë për të ndërtuar rrjetet lokale të shpërndarjes së energjisë.

Lexo edhe :  Trashëgimtari i Hermès, planifikon të adoptojë ish-kopshtarin dhe t'i lë 11 miliardë $

Deri më tani, këto kosto janë bartur tek konsumatorët dhe kompanitë, për shkak se ato janë ndërtuar në çmimin e energjisë elektrike. Kjo uli konkurrencën e ekonomisë gjermane në tregun botëror. Nëse shteti dëshiron të lehtësojë konsumatorët, duhet të marrë përsipër këto kosto. E duhet të mirren parasysh edhe kostot e ndërtimit të termocentraleve rezervë, si dhe një rrjet hidrogjeni.

Pjesë e infrastrukturës janë edhe banesat

Në Gjermani ka mungesa të mëdha të banesave, veçanërisht në qytetet e mëdha dhe zonat me popullsi të dendur. Kjo ka çuar në rritje ndonjëherë drastike të qirave gjatë viteve të fundit. Në Mynih, një metër katror kushton rreth 24 euro për qira. Kjo sjell me vete një sërë fenomenesh negative.

Njerëzit me të ardhura mesatare mezi përballojnë të jetojnë në qytete. Punëdhënësit që nuk ofrojnë paga jashtëzakonisht të larta mund të gjejnë punëtorë vetëm nëse ofrojnë strehim së bashku me punën.

Shoqata Federale e Industrisë Gjermane vlerëson se 56 miliardë euro shtesë duhet të investohen në dhjetë vitet e ardhshme për të inkurajuar ndërtimin e apartamenteve të reja dhe për të siguruar që ndërtesat mund të ndërtohen në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e klimës.

Edukimi – një detyrë për të ardhmen

Shuma të mëdha nevojiten edhe për rinovimin e kopshteve, shkollave dhe universiteteve, si dhe për digjitalizimin e të gjitha institucioneve arsimore. Konfederata e Industrisë Gjermane vlerëson se në këtë fushë duhet të ndahen 100 miliardë euro.

Sindikata e Arsimit dhe Shkencës (GEW) pretendon se shuma është edhe më e lartë – rreth 130 miliardë euro. “Sistemi arsimor gjerman i ngjan një kantieri të madh ndërtimi”, thuhet në një deklaratë të sindikatës nga fillimi i marsit të këtij viti. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar në kopshte dhe shkolla është “dramatike”.

Arsimi është përgjegjësi e 16 landeve gjermane, ndaj investimet janë në kurriz të tyre. Por edhe komunat gjermane kanë infrastrukturën e tyre që ka nevojë për rinovim urgjent. Më së paku investohet në komuna, pasi nuk ka para të mjaftueshme. Buxheti është bosh, borxhet janë të mëdha.

Mungesa e fondeve edhe në fusha të tjera

Në spitale ka nevojë për rreth 50 miliardë euro investime. Shoqata Gjermane e Spitaleve deklaron se 70 për qind e spitaleve gjermane po bëjnë humbje. Rreth 10 miliardë euro mungojnë në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë, e cila është përgjegjëse për ndihmën në rast të përmbytjeve, tërmeteve, zjarreve, por edhe për mbrojtjen në rast lufte.

Nëse të gjitha këto nevoja mblidhen, atëherë vërtet duhen qindra miliarda euro në vitet e ardhshme për të rikthyer në gjendje të mirë infrastrukturën e përgjithshme në Gjermani./k.k

Të fundit

Përmbysje spektakolare në “Metropolitano Stadium”, Barcelona fundos Atletico Madridin

Barcelona ka siguruar një fitore të jashtëzakonshme me shifrat 4-2 përballë Atletico Madrid, duke përmbysur avantazhin 2-0 të madrilenëve,...

Kandidati i PD sulmon partitë e reja: Do djegin vota, do i shërbejnë Edi Ramës

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), Besart Xhaferri, tha ne A2 CNN se “Nëse partitë e reja djegin votat dhe zhgënjejnë mbështetësit...

Aksident në Milot, përplasen katër automjete, disa të lënduar

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në Milot, ku janë përfshirë katër automjete. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim...

Para apo pas ngrënies! Kur është koha e duhur për të pirë ujë

Trupi i njeriut humbet ujë çdo moment, madje edhe nëpërmjet frymës. Rrjedhimisht, pirja e ujit është e një rëndësie madhore për hidratimin e organizmit. Trupi e...

SHBA nuk i bindet vendimit të gjykatës, depërton 250 anëtarë të bandës në ‘El Salvador’

SHBA deportoi më shumë se 250 anëtarë të dyshuar të bandës kryesisht venezueliane në El Salvador, pavarësisht vendimit të një gjykatësi amerikan për të...

Lajme të tjera

Web TV