“Kushdo që sjell tmerr publik ndëshkohet…”/ Ç’farë parashikonte Kodi Penal i vitit 1928?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesa e dymbëdhjetë

Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit Osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe të ndryshme. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.

 

 

Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së.

Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku pas legjislacionit të zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, një vend të veçantë zë edhe Kodi Civil dhe ai Penal, gjë të cilat janë botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

Vijon nga numri i kaluar

Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

Kodi Penal 1928

LIBRI I DYTË

Deliktet

Delikte kundra rregullit publik

KAPTINA I

Shtytje për me ba faj

NENI 272. – Kushdo që, botënisht shtyn tjetrin për me ba një faj, ndëshkohet për të vetëmën vepër të shtytjes:

Me burgim të randë nga tre deri në pesë vjet, në qoftë se shtytja bahet për një delikt për të cilin asht caktue një ndëshkim ma i math se burgimi i randë.

Me burgim të randë ose me burgim deri në dy vjet, në qoftë se shtytja bahet për një delikt për të cilin asht caktue një ose tjetri nga këto ndëshkime.

Në të gjithë rastet e tjera me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.

Në rastet e parapame në numërat 2 e 3, ndëshkimi q’i vihet shtytësit nuk mund të kalojë një të tretën e maximumit të ndëshkimit të caktuem për fajin për të cilin bahet shtytja.

NENI 273. – Kushdo që, botënisht mbron tue mburun një vepër të cilën ligja e parashikon si delikt, ose shtyn në mos bindje në ligjat, ose shtyn në urejtje midis kllaseve të ndryshmë shoqënore e fetare njanën kundra tjetrës, në mënyrë të rezikëshme për qetësinë publike, ndëshkohet me burgim nga tre muej deri në një vit, dhe me gjobë të randë nga pesëdhjet deri në njëmijë fr. ari.

KAPTINA II

Shoqënim për ma ba faj

NENI 274. – Kur pesë ose ma tepër persona shoqënohen për me ba delikte kundra administrasionit të Drejtësis, ose besimit publik ose tanësis publike, ose kundra zakoneve të mira e rregullit familiar, ose kundra personit ose pasunis, se i cili nga ata, ndëshkohet, për të vetëmen vepër të shoqënimit, me burgim të randë nga një deri në pesë vjet.

Në qoftë se të shoqënuemit, bredhin në për fusha, ose në për rruga publike dhe dy ose ma shumë nga ata sjellin me vehte armë, ose i mbajnë, në një vënd të depozituem, ndëshkimi asht burgim i randë nga tre deri në dhjet vjet.

Në qoftë se midis këtyne ndoshin kryeshkaktarë ose kryetarë, ndëshkimi për këta, asht burgim’i randë nga tre deri në tetë vjet në rastin e treguem në pikën I të këti neni dhe nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet në rastin e treguem në § e II.

Ndëshkimeve të tregueme në kët nen u shtohet gjithnjë dhe të nënvumunit në vrejtim të posaçme t’Autoritetit të sigurimit publik.

NENI 275. – Kushdo që, jashtë rasteve të parapame në nenin 65, u ban strehë ose i ndihmon ose u prokuron ushqim të shoqënumëve ose njanit prej atyne, ndëshkohet me burgim të randë deri në një vit.

Nuk ndëshkohet ay q’i prokuron ushqime ose i ban strehë ndo njanit nga gjinia e afërme të vet.

NENI 276. – Për deliktet e bamuna nga të shoqnuemit ose nga njani prej atyne në kohën ose me rastin e shoqnimit, ndëshkimit që rezulton prej aplikimit të nenit 77, i shtohet një e gjashta deri në një të tretën.

NENI 277. – Kushdo që merr pjesë në një shoqnim të drejtuem për me ba deliktet e parapame në nenin 273, ndëshkohet me burgim nga gjashtë deri në tetmbëdhjet muej dhe me gjobë të randë nga një qint deri në tre mijë fr. ari.

KAPTINA III

Shtytje në luftë civile, formimi i trupave t’armatosun dhe friksime publike

NENI 278. – Kushdo që ban një vepër të drejtueme për me nxjerrë luftë civile, ose me sjellë rrënime, plaçkitje, ose gjak derdhje në çdo vend të Republikës, ndëshkohet me burgim të randë nga pesë deri në njëzet vjet, dhe në qoftë se qëllimi ka mbarue, qoftë dhe pjesërisht, dënohet me vdekje.

NENI 279. – Kushdo që, jashtë rasteve të parapame në nenin 144, me qëllim që të bajë një faj të caktuem formon një trup t’armatosun, ose merr një komandë të naltë ose një funksion të posaçëm n’atë, për të vetëmen këtë vepër, ndëshkohet me burgim të randë, nga tre deri në shatë vjet.

Gjithë të tjerët, që marin pjesë n’atë trup t’armatosun, ndëshkohen me burgim të randë nga një deri në tre vjet.

Në qoftë se ndëshkimi i caktuem për fajin, për të cilin ish drejtue vepra, asht burgim, gjithnjë aplikohet burgimi në vënd të burgimit të randë.

Janë t’aplikuëshme në këtë rast dispozitat e nenevet 146 e 275.

NENI 280. – Kushdo që, pa autorizim ligjuer, formon një trup t’armatosun, i cili nuk ka për qëllim me ba faj, ndeshkohet me burgim deri në një vit, ose me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.

NENI 281. – Kushdo që, me të vetëmin qëllim që të sjellë tmerr publik, ose që të nxjerrë trubullime ose çrregullime publike, pëlcet ose vën, me atë qëllim, dinamita ose të tjera maqina sende plasëse që sjellin asilloj efekti, ose bomba, maqina vdekje-pruëse ose djegëse, ndëshkohet me burgim të randë nga katër deri në dhjet vjet, dhe në qoftë se këjo vepër bahet në vend e në kohë ku asht mbledhun një shumicë populli, ose në kohën e një rreziku publik, ose të një alarmi, ose të kalamiteti publik ose në kohën e një prishjeje, ndëshkimi asht me burgim të randë nga tetë deri në dymbëdhjet vjet.

Burgimit të randë mund t’i shtohet dhe të nënvumunit në vrejtim të posaçëm t’Autoritetit të sigurimit publik.

Lexo edhe :  Historia- Libri për fundjavën: "Historia e botës në 63 diktatorë"

TITULLI VI

Delikte kundra besimit publik

KAPTINA I

Falsifikim në monedha dhe në kartëmonedha që kanë kredi publike

NENI 282. – Ndëshkohet me burgim të randë nga tre deri në dymbëdhjet vjet:

Kushdo që, kontrafaqon monedha kombtare ose të hueja që kanë një kurs ligjuer ose tregëtar në Shqipni.

Kushdo që ndryshon me çdo mënyrë monedha të thjeshta, tue i ba të duken se kanë vlerë ma të naltë.

Kushdo që, tue qënë marrë vesh me atë që ka ba ose q’asht bashkue për me ba kontrafaqimin ose ndryshimin e monedhave, i fut, këto, në Shtet ose i shpenzon, ose me të tjera mënyra i vën në cirkullasion ose i a u prokuron të tjerëve me qëllim që t’i shpenzojë ose t’i vënë, më të tjera mënyra, në cirkullasion.

Në qoftë se vlera ligjore ose tregëtare që reprezanton monedha e kontrafaquëme ose e ndryshuëme asht shumë e naltë, ndëshkimi asht burgimi i randë nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Në qoftë se vlera themelore (intrinseque) e monedhave të kontrafaquëme asht baras me vlerën e monedhave të thjeshta, ose ma e naltë se këjo, ndëshkimi asht burgim’i randë nga një deri në pesë vjet.

NENI 283. – Kushdo që ndryshon monedhat të llojit të treguem në nenin e ma sipërme, tue paksue me ç’do mënyrë vlerën e tyne, ose tue qënë marrun vesh me atë me atë q’e ka ndryshue n’atë mënyrë monedhën, ban ndonjanin nga veprat e tregueme në numrin 3 t0atij neni, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në pesë vjet.

NENI 284. – Kushdo që, pa qënë i marrun vesh me atë që ka ba ose me atë q’asht bashkue për me ba kontrafaqimin ose ndryshimin, shpenzon ose vën, me tjetër menyrë në cirkullasion, monedha të kontrafaqueme ose të ndryshuëme, ndëshkohet, në rastet që tregohen në numerat 1, 2, 3 të nenit 282, me burgim të randë nga një deri në shtat vjet; në rastin e parapame në pikën II, me burgim të randë nga tre deri në dhjet vjet, dhe në rastin e parapame në nenin 283, me burgim të randë nga tre deri në tridhjet muej.

Në qoftë se fajtori e ka marrë monedhën me mir-besim (bonne foi), ndëshkimi asht me burgim deri në gjashtë muej ose gjobë të randë deri në dymijë fr. ari.

NENI 285. – Kushdo që kontrafaqon florinj luksi ose dekorasione, të cilat i pret dhe i fabrikon Shteti dhe ay q’i fabrikon ose me ç’do mënyrë i u pakson vlerën, si dhe ay që sjellë nga jashtë të tilla florinj të kontrafaqeme, ose ie vën në cirkolasion, ndëshkohet me burgim të randë nga një muej deri në tre vjet.

NENI 286. – Kushdo që kontrafaqon ose ndryshon mbrënda në Shqipni monedha të hueja, jashtë atyne që tregohen në numrin 1 të nenit 282, ose u pakson vlerën, ose i fut mbrënda Shtetit, ose i shpenzon, ose i vën me ç’do tjetër mënyrë, në cirkulasion, ndëshkohet me gjymsen e ndëshkimeve respektivisht të caktuem në nenet e ma siperme.

NENI 287. – Kushdo që, tue pasun blerë florinj luksi të cilat nuk i dinte që janë të kontrafaqueme, i shpenzon ose ndryshe i vën në cirkulasion, ndëshkohet me gjobë të randë deri n’ dymijë fr. ari.

NENI 288. – Në rast që falsifikimi i bamun mbi monedhat asht lehtësisht i kuptueshëm, ndëshkimit të caktuem i zbritet një e gjashta deri në gjysmën.

NENI 289. – Kushdo që, fabrikon ose mban vegla të destinueme vetëm për kondrafaqim, ose për ndryshim monedhash ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në tre vjet, tue u konfiskue dhe ato vegla.

NENI 290. – Kur, për deliktet e parapame në nenet e ma sipërme, aplikohet ndëshkimi me burgim të randë, shtohet gjithnjë gjoba e randë dhe të nënvumunit në vrejtim të posaçëm t’Autoritetit të sigurimit publik.

NENI 291. – Nuk ndëshkohet fajtori i ndonjanit nga deliktet e parapame në nenet e nalt përmenduna, në qoftë se ay, para se autoriteti t’a marrë vesh nga ndonjë anë, arrin t’a ndalojë kondrafaqimin ose ndryshimin ose cirkullimin e atyne monedhave.

NENI 292. – Për efektet e ligjës penale barazohen me monedhat edhe letrat me kredi publike.

Me fjalën “letra me kredi publike” kuptohen, për veç atyne që kan kurs ligjuer si monedha, dhe ato letra, ose bileta për pruësin (au porteur) që nxirren nga Qeverija, dhe formojnë titra të cirkulluëshme (titres negociables) si dhe gjithë ato letra që kanë kurs ligjuer ose tregtar që nxirren prej institutive, mbas një autorizimi.

KAPTINA II

Fallsifikim në vula, timbra publike dhe në figura (empreinte) të ktyne

NENI 293. – Kushdo që kontrafaqon vulën e Shtetit e cila asht e destinueme për m’u vu mbi akte të Qeverisë, ose përdor t’atillë vulë të kontrafaqueme, qoftë dhe prej tjerëve, ndëshkohet me burgim të randë, nga tre deri në gjashtë vjet dhe me gjobë të randë.

NENI 294. – Kushdo që kontrafaqon vulën e një autoriteti të Shtetit, ose të një Bashkije, ose të një Këshille të lagjeve ose të katundeve ose të një instituti të nënvumun me ligjë në kujdesi të Shtetit, të një Prefekture ose Bashkije, si dhe kushdo që përdor t’atilla vula, qofshin dhe prej të tjerëve të kontrafaqueme, ndëshkohet me burgim të randë, nga tre muej deri në dy vjet, dhe me gjobë të randë deri në dy mijë fr. ari.

NENI 295. – Kushdo që, kontrafaqon timbra (damka), punzone, marka ose të tjera vegla të destinueme me ligjë ose me urdhën Qeveritar, për një vërtetim publik, ose përdor t’atilla vegla, qofshin dhe prej të tjerëve të kontrafaqueme, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në pesë vjet, dhe me gjobë të randë, nga pesdhjet deri në tre mijë fr. ari.

Po me këto ndëshkime dënohet dhe ay që, tue mos qënë bashkë puntor në kontrafaqim, vën në shitje gjana mbi të cilat janë përdor ato vegla të kontrafaqueme.

NENI 296. – Kushdo që kontrafaqon vetëm figurat e veglave të tregueme në nenet e naltpërmenduna, me një mjet që nuk asht i aftë me nxjerr dhe te tjera si ajo, e që nuk formon përdorim të një vegle të kontrafaqueme, ndëshkohet me burgim të randë nga gjashtë muej deri në tre vjet, në rastin e nenit 293, dhe nga dy muej deri në një vit në rastin e neneve 294 e 295, dhe kurdoherë me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.

NENI 297. – Kushdo që kontrafaqon pulla, pulla poste dhe marka timbrash të Shtetit, ndëshkohet me burgim të randë nga dy deri në pesë vjet dhe me gjobë të randë nga njëmijë deri në tremijë fr. ari.

NENI 298. – Kushdo që kontrafaqon vulat për letra të timbrueme, për pulla poste, ose për marka timbre, ose letra filigramin të destinueme për me vumun mbi to figurat e atyne vulave, ndëshkohet me burgim të randë nga një deri në tre vjet, dhe me gjobë të randë deri në pesqind fr. ari.

NENI 300. – Kushdo që përdor pulla ose pulla poste të përdoruna ose t’anulueme ma parë, ndëshkohet me gjobë të randë deri në njëmijë fr. ari.

NENI 301. – Kushdo që pa mos bashkëpunue në ndonjanin nga deliktet e parapame në nenet e ma sipërmë, mban vulat ose timbrat e contrafaqueme ose veglat e destinueme vetëm për kontrafaqimin e treguem n’ato nene, ndëshkohet me burgim të randë deri në dy vjet ose me gjobë të randë deri në dymijë fr. ari, ose me të dyja këto bashkë.

NENI 302. – Kushdo që, tue shtij në dorë vula, timbra, punzone ose marka të vërteta zyrtare, që tregohen në këtë kaptinë, i përdor në dam të tjetërit ose në fitimin e vet ose të tjerëve dënohet me ndëshkimet e caktueme në nenet e ma sipërmë, tue i u zbrit një e treta deri në gjysmën.

NENI 303. – Kushdo që, kontrafaqon ose ndryshon bileta t’hekur-udhave ose të tjerave shërbime publike të transportit ose përdor t’atilla bileta të kontrafaqueme ose të ndryshueme, edhe prej të tjerëve, ndëshkohet me burgim të randë, nga pesëdhjet deri në njëmijë fr. ari.

NENI 304. – Kushdo që fshin ose me çdo mënyrë çduk nga pullat postare, markat timbrash ose ndonjë nga biletat e shënunme në nenin e ma sipërmë, shënja të vumun për me tregue se janë përdorun, ose i përdor t’atilla sende të ndryshunme në këtë mënyrë, ndëshkohet me burgim të randë deri në tre muej dhe me gjobë të randë deri në pesëqind fr. ari. Memorie.al

Të fundit

TikTok bën ndryshime të mëdha për të shkëputur varësinë e adoleshentëve nga aplikacioni

Platforma e njohur e rrjeteve sociale, TikTok, ka prezantuar një nismë të re të quajtur Wind Down, e cila...

“Sa do na e bëni rrogën në mandatin e katërt”? Ja si iu përgjigjet Rama mësuesve

Kryeministri Edi Rama, zhvilloi sot një bisedë me mësuesit e Lushnjës. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se mësuesit janë një ndër kategoritë shoqërore...

“Jam i gëzuar sot se fola me Lulin”, Rama ironizon nga Lushnja: Nuk shtyhet fushata pa të

Rama: Pronat të shkojnë tek i zoti që i kanë marrë katunarë e pseudo qytetarë jepja atyre që i kishin, Fatosi i tha kjo...

Edhe në Hagë, UÇK-ja e tremb PD-në e Tiranës!

Nga Ben Andoni Pse e tremb UÇK-ja e Hagës, PD-në e Tiranës?! Është më shumë një pyetje retorike për një përgjigje që dihet mirë. Nëse...

GJKKO dënon me 6 muaj burg ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelajn, i...

Lajme të tjera

Web TV