Një seri sulmesh tronditën Rripin e Gazës, duke shënuar rifillimin e bombardimeve nga ushtria izraelite kundër objektivave të Hamasit. Kjo është vala më e madhe e sulmeve ajrore që nga 19 janari, kur hyri në fuqi armëpushimi
Të paktën 356 persona raportohet se kanë vdekur, mes tyre edhe fëmijë, raporton La Repubblica.
I gjithë kufiri i Rripit të Gazës tashmë është kthyer një zonë e kuqe, e rrezikshme dhe banorëve u është kërkuar të largohen nga zonat e Beit Hanoun, Khuza’a dhe Abasan al-Kabira dhe al-Jadida.
“Ata duhet të zhvendosen në strehimore në qytetin perëndimor të Gazës dhe Khan Younis “menjëherë”, thotë një zëdhënës i ushtrisë izraelite (IDF) në X.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ai kishte urdhëruar sulmet për shkak të mungesës së përparimit në bisedimet e vazhdueshme për zgjatjen e armëpushimit. Ai akuzoi Hamasin për “refuzim të përsëritur për të liruar pengjet tanë” dhe për refuzimin e propozimeve nga i dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
“Izraeli, që tani e tutje, do të veprojë kundër Hamasit me fuqi ushtarake në rritje”, thuhet në një deklaratë. Zyrtarët thanë pritej të zgjerohej në të gjithë vendin.
Hamasi tha se sulmet e reja ajrore të Izraelit shkelën armëpushimin e tyre dhe kanë vënë në rrezik fatin e pengjeve. Një zyrtar i lartë i Hamasit u shpreh se vendimi i Netanyahut për të nisur sulme të gjera në Rripin e Gazës përbënte një “dënim me vdekje” për pengjet e mbetura të mbajtura atje.
Izzat al-Rishek, një anëtar i byrosë politike të Hamasit, akuzoi sot Netanyahun për rifillimin e luftës në përpjekje për të shpëtuar koalicionin e tij qeverisës të ekstremit të djathtë.
Ambasadori i Izraelit në OKB është zotuar se sulmet do të vazhdojnë, duke thënë se: “Asgjë nuk do të na ndalojë të luftojmë për të çliruar pengjet tona që janë mbajtur në robëri brutale të Hamasit për 527 ditë, ne nuk do të tregojmë mëshirë kundër armiqve tanë, ndërsa pengjet tanë lëngojnë në tunelet e terrorit”./E.T