Një influencer nacionalist e quajti atë “vërtetë shpërblyese.” Një tjetër tha se po qeshte me të madhe. Dhe një editorial i medias shtetërore përshëndeti rënien e asaj që e quajti “fabrikë gënjeshtrash.”
Për vite me radhë, qeveria kineze dhe aparati i saj propagandistik kanë sulmuar pa pushim Zërin e Amerikës (VOA) dhe Radio Free Asia (RFA) për mbulimin e tyre kritik ndaj Kinës, veçanërisht për çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare.
Nacionalistët kinezë dhe media shtetërore mezi e fshehën gëzimin e tyre pasi Presidenti Donald Trump nënshkroi të premten një urdhër ekzekutiv për të shpërbërë Zërin e Amerikës (VOA), Radio Free Asia (RFA) dhe organizata të tjera mediatike të financuara nga qeveria amerikane që transmetojnë në regjime autoritare.
Dhe tani, administrata e Trump po hesht vetë institucionet që Pekini është përpjekur prej kohësh t’i minojë – në një kohë kur Kina po shpenzon buxhete të mëdha për të zgjeruar ndikimin global të mediave të saj shtetërore.
Në një editorial të hënën, “Global Times”, një gazetë luftënxitëse e drejtuar nga Partia Komuniste, e denoncoi VOA-n si një “fabrikë gënjeshtrash” me një “historik të tmerrshëm” mbi raportimin për Kinën.
Nga mbulimi i saj për shkeljet e pretenduara të të drejtave të njeriut në rajonin perëndimor të Xinjiangut, te raportimet mbi mosmarrëveshjet në Detin e Kinës Jugore, Tajvanin, Hong Kongun, pandeminë e koronavirusit dhe ekonominë kineze, “pothuajse çdo gënjeshtër e keqdashje për Kinën mban gjurmët e VOA-s,” pretendonte editoriali.
Mbulimi i Kinës nga VOA shtrihet për dekada. Gjatë protestave pro-demokracisë në Tiananmen në vitin 1989, transmetimet radiofonike në gjuhën kineze të VOA-s u bënë një burim kritik i informacionit të pacensuruar për popullin kinez. (VOA i ndërpreu transmetimet e saj radiofonike në gjuhën kineze në vitin 2011, por faqja e saj në internet në këtë gjuhë ishte ende aktive të hënën.)
RFA, e themeluar në vitin 1996, transmeton në Kinë në anglisht, kinezisht, ujgurisht dhe tibetisht, duke iu shërbyer pakicave etnike, liritë e të cilave qeveria kineze është akuzuar prej kohësh se i shtyp.
Drejtori ekzekutiv i RFA, Bay Fang, e quajti ndalimin e financimit nga SHBA një “shpërblim për diktatorët dhe despotët, përfshirë Partinë Komuniste Kineze, të cilët s’do të dëshironin asgjë më shumë sesa të ushtronin ndikimin e tyre pa asnjë pengesë në hapësirën e informacionit.”
Në rrjetet sociale kineze, influencerët nacionalistë festuan fundin e VOA-s, e cila ka pezulluar 1,300 punonjësit e saj, si dhe të RFA-s, e cila deklaroi se mund të ndalojë operacionet pas ndërprerjes së granteve federale.
“Zëri i Amerikës është paralizuar! Dhe e njëjta gjë ka ndodhur me Radio Free Asia, e cila është po aq dashakeqe ndaj Kinës. Sa vërtetë shpërblyese!” shkroi Hu Xijin, ish-kryeredaktor i “Global Times” dhe komentator nacionalist i njohur.
“Pothuajse të gjithë kinezët e njohin Zërin e Amerikës, pasi ai është një mjet simbolik i infiltrimit ideologjik të SHBA-së në Kinë,” shkroi Hu në një postim në rrjetin “Weibo”, ku ka gati 25 milionë ndjekës. “(Unë) besoj se populli kinez është më se i lumtur të shohë se si bastioni ideologjik anti-kinez i Amerikës po shembet nga brenda, duke u shpërndarë si një tufë zogjsh të trembur.”
Një tjetër komentator nacionalist akuzoi VOA dhe RFA se janë “makineri propagandistike famëkeqe për revolucionet me ngjyra,” duke iu referuar protestave të viteve 2000 që rrëzuan qeveritë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Ballkan.
“Po qesh me të madhe!” tha ai.
Të tjerë përgëzuan Trumpin, i cili gjatë mandatit të tij të parë u quajt me tallje në internetin kinez “Chuan Jianguo” ose “Trump, ndërtuesi i kombit (kinez),” duke sugjeruar se politika e tij izoluese dhe ndarja e brendshme po ndihmonin Pekinin të kapërcente Uashingtonin në skenën globale.
“Faleminderit, shoku Chuan Jianguo dhe Elon Musk, ju lutem kujdesuni dhe qëndroni të sigurt,” shkroi një përdorues i “Weibo” të hënën.
Musk, miliarderi dhe këshilltari i Trump që ka udhëhequr shkurtime masive në qeverinë amerikane, ka përdorur platformën e tij sociale X për të kërkuar mbylljen e VOA-s.
“Ky lajm shënon fundin e një epoke,” shkruhej në një tjetër koment në “Weibo” të dielën.
Shtëpia e Bardhë mbrojti urdhrin ekzekutiv të Trumpit në një deklaratë të shtunën, duke pretenduar se ai “do të sigurojë që taksapaguesit të mos paguajnë më për propagandë radikale.”
Por ndërsa stacionet e financuara nga SHBA po zvogëlojnë praninë e tyre, Kina është e zënë duke forcuar mesazhet e saj në botë.
Nën udhëheqjen e Xi Jinping, Kina ka zgjeruar ndjeshëm shtrirjen dhe ndikimin e mediave të saj shtetërore, si pjesë e përpjekjeve për të fituar fuqi në një botë që e sheh të dominuar padrejtësisht nga narrativa perëndimore.
Në vitin 2018, Pekini shpalli krijimin e një konglomerati gjigant mediatik duke bashkuar tre rrjete shtetërore ekzistuese të drejtuara ndaj audiencës ndërkombëtare për të kombinuar më mirë burimet. Emri i tij? “Voice of China”./K.K