Dhe jemi në një moment, ku Edi Rama, jo vetëm ka lënë sulmet ndaj SPAK dhe e ka harruar Lali Erin, por nuk ka ditë që nuk shpreh respekt publik ndaj Altin Dumanit.
Çfarë është kjo gjuhë? Është pikërisht gjuha që terrorizon Sali Berishën, ndaj ka rihapur çështjen e Yuri Kim. Duket paksa e dëshpëruar si lëvizje, por në fund, cila është mundësia e doktorit për të lëvizur?
Sali Berisha ka rihapur papritur çështjen Yuri Kim, duke përdorur një fjalor të kamufluar e aspak të qartë. Në konferencën e djeshme për shtyp, Berisha, i “nxitur” nga një pyetje që dukej qartë se ishte e porositur, u përgjigj në lidhje me a është e shkarkuar dhe a është nën hetim ambasadorja Yuri Kim.
Ai nuk tha asgjë, përveçse përsëriti se di atë që kanë pasqyruar mediat, por shtoi se ai e ka akuzuar dhe ka kërkuar ta hetojë FBI ish-ambasadoren amerikane në Tiranë.
Në realitet, hapja e çështjes së Yuri Kim në publikun e Tiranës është ‘pesë me hiç’. Pasi diplomatja e DASH është në karrierën e saj. Por edhe sikur të ishte shkarkuar, nuk do të ishte ndonjë çudi.
Ka shumë diplomatë të State Departamentit, të cilët kanë dhënë dorëheqje menjëherë sapo kanë nisur çmenduritë e uraganit Trump. E gjitha kjo do të kishte kuptim, nëse Yuri Kim, mund të kritikohej, apo edhe ndëshkohej, për sjelljen e saj gjatë kohës kur ka qenë ambasadore e SHBA në Tiranë.
Deri tani, nuk kemi pasur asnjë indicie, deklaratë, akt administrativ, apo dëgjesë në Kongresin Amerikan, ku të flitet për Tiranën, për Yuri Kim apo për Sali Berishën.
Ish-ambasadorja, në një rol të rëndësishëm në kupolën drejtuese të Departamentit të Shtetit, është një nga të paktit diplomatë ekzistues që kanë shtrënguar duart me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Një Perandori serioze siç është SHBA, vepron me rekorde dhe letra. Yuri Kim është përzgjedhur në 2016 nga Shtpia e Bardhë për Ambasadore në Tiranë, e ky rekord në letra nuk ka sesi të fshihet. Ndaj nuk është rastësi që Yuri Kim u emërua nga Rubio në një detyrë të rëndësishme për Ukrainën.
Administrata e re nuk mund të nxjerrë diplomatë sa hap e mbyllë sytë si prestigjatori lepujt nga kapelja. Do të duhet të punojë me ata diplomatë që pranojnë dhe i përshtaten politikave të administratës së re. E që duket qartë se Yuri Kim është ingranuar në epokën e re Trump. Madje edhe me vendim administrativ.
Pra, Sali Berisha nuk ka asnjë fakt, asnjë shenjë, që armikja e tij që i ka kërkuar demokratëve të hanë bar nëse duan të rrinë me doktorin është sot një viktimë, për të cilën duhet të bëhet festë.
Po përse atëherë e rihapi çështjen e Yuri Kim?
Sipas asaj që perceptohet, Berisha, edhe pse e urren deri në asht Yuri Kim, nuk e ka me të. Deklarata e tij e djeshme është thjesht një kod drejtuar SPAK-ut, Altin Dumanit. Në gjuhën e tij të shantazhit të përdorur vazhdimisht, që në një farë mënyre i kanë siguruar avantazhe.
Statusi aktual i Sali Berishës, që është në liri, pas një viti arrest shtëpie ka ardhur edhe si pasojë e gjuhës së koduar të shantazhit, por natyrisht edhe nga zgjedhjet në SHBA.
Sali Berisha jo më kot ka pajtuar një këshilltar të fushatës së Trump si La Chivita, i cili duket mjaft i distancuar këto ditë, por e gjitha ka ndodhur për të dhënë mesazh jo në Uashington, por në SPAK.
Sali Berisha, dukshëm është i shqetësuar për një hapje të madhe dosjeje hetimi. Që mund të jetë Gërdeci apo 21 janari.
Në mes të një fushate elektorale, do ta godiste aq shumë, sa nuk mund ta merrte veten, e gjasat janë që ashtu siç i ka thënë Edi Rama në Parlament, që PD të dalë më keq se në 1997-n.
Dhe jemi në një moment, ku Edi Rama, jo vetëm ka lënë sulmet ndaj SPAK dhe e ka harruar Lali Erin, por nuk ka ditë që nuk shpreh respekt publik ndaj Altin Dumanit. Çfarë është kjo gjuhë? Është pikërisht gjuha që terrorizon Sali Berishën, ndaj ka rihapur çështjen e Yuri Kim. Duket paksa e dëshpëruar si lëvizje, por në fund, cila është mundësia e doktorit për të lëvizur?/ S,M