Shqipëria ka njohur një rritje të dukshme të numrit të turistëve, por ky zhvillim nuk do të vijë pa pasoja. Sipas ekspertit zviceran të Ballkanit dhe operatorit të një agjencie turistike, Marco Wipfli, vendi pritet të përballet me një të ardhme të errët, ku çmimet do të rriten masivisht në vitet e ardhshme.
Në një intervistë për mediat gjermane, Wipfli shpjegoi se rritja e numrit të turistëve është kryesisht e lidhur me çmimet e ulëta të Shqipërisë, por ai parashikon se kjo mund të ndryshojë shpejt. Sipas tij, çmimet e akomodimit në jug të Shqipërisë, për shembull, do të rriten ndjeshëm. Apartamentet që në vitin 2023 kishin një çmim mesatar prej 25-30 eurosh për natë, tashmë do të shiten për 100-120 euro në muajt e verës të vitit 2024.
Përveç rritjes së çmimeve, Wipfli gjithashtu paralajmëroi për sfida të tjera, duke përfshirë problemet me infrastrukturën dhe mbrojtjen e mjedisit. Ndërtimi i një aeroporti të ri pranë lumit Vjosë, një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, ka shkaktuar polemika, me ambientalistët që kundërshtojnë projektin./ S.M