Kompania prodhuese e makinave elektrike, e themeluar nga Elon Musk, ka njoftuar se do të tërheqë mbi 46 mijë Cybertruck të shitur në Shtetet e Bashkuara për një problem sigurie.
Kompania prodhuese e makinave elektrike, e themeluar nga Elon Musk, ka njoftuar se do të tërheqë mbi 46 mijë Cybertruck të shitur në Shtetet e Bashkuara për një problem sigurie. Sipas një dokumenti të dorëzuar në Administratën Kombëtare të Sigurisë Rrugore (NHTSA), arsyeja është mundësia që panelet e jashtme prej çeliku të shkëputen gjatë lëvizjes së automjetit.
Sipas kompanisë automobilistike në pronësi të Musk, ky defekt prek vetëm 1% të mjeteve, por do të zëvendësojë pjesët e dëmtuara falas për të zgjidhur problemin. Në total, 46.096 makina të prekura nga ky rikthim janë prodhuar midis nëntorit 2023, kur nisi prodhimi komercial i Cybertruck me pamje futuristike, dhe 27 shkurtit 2025.
Tesla u njoftua për këtë problem të mundshëm më 7 janar. Pas hetimeve, kompania arriti në përfundimin se ngjitësi i përdorur për të fiksuar karrocerinë prej çeliku inox ishte dobësuar ndoshta nga faktorët e jashtëm mjedisorë.
Problemet nuk kufizohen vetëm tek makinat e Tesla-s.
Edhe në aspektin financiar ka tensione. Nuk ka dhënë efektin e dëshiruar thirrja e Howard Lutnick, sekretarit të Tregtisë në administratën Trump, për të blerë aksione të Tesla-s. Lutnick përdori një paraqitje televizive për të nxitur amerikanët të investojnë në aksionet e kompanisë së Musk – një këshillë e pazakontë, pasi ministrat zakonisht nuk rekomandojnë aksione të kompanive, aq më pak të atyre që lidhen me këshilltarin më të afërt të presidentit amerikan.
Vetë Donald Trump kishte organizuar një ekspozitë të Tesla-s në Shtëpinë e Bardhë dhe kishte blerë publikisht një makinë Tesla për të mbështetur kompaninë. Deri tani, pa sukses. Pas deklaratave të Lutnick, aksionet e Tesla-s ranë me 1.7% në tregtinë para-hapjes së bursës. Amerikanët nuk e ndoqën këshillën./k.k