Nga Mero Baze
Por ndërkohë, Berisha ia ka bërë gjëmën PD-së, pasi duke nxjerrë Ilir Metën në listë të hapur, ka vrarë garën dhe ka mbyllur edhe listën e hapur.
Drama e Partisë Demokratike në Tiranë nuk është vetëm lista e mbyllur. Në gjithë sondazhet, PD pritet të shkojë deri tek 12 deputetë, aq sa në fakt është lista e mbyllur, ku Berisha ka dhënë gjysmën e saj për aleatët e tij, duke nxjerrë jashtë loje gjithë figurat e PD-së në Tiranë.
Por kjo nuk është fundi i dramës.
Përmes një truku të Berishës me Ilir Metën dhe më pas edhe me Shpëtim Idrizin, Berisha ka mbyllur praktikisht dhe listën e hapur. Nëse PD ndodh të rritet mbi 12 deputetë, i 13-ti si fitues duket se është llogaritur të jetë Ilir Meta.
Ky i fundit përfundoi një herë marrëveshjen me Berishën për të pasur dy deputetë në listë të sigurt dhe, pasi Berisha e firmosi atë duke pasur parasysh që një nga këta të dy do të ishte Ilir Meta, ky i fundit befas i bëri partisë së tij thirrje të dilte në listë të hapur.
Tani, dy deputetë të Metës janë të sigurt nga votat e PD-së, ndërsa i pari që mund të dalë nga lista e hapur është po Ilir Meta.
Arsyeja është e thjeshtë: votuesi i Partisë së Ilirit, për aq sa ekziston ende në Tiranë, identifikohet me Ilir Metën. Nëse ata janë 10 mijë, ata do të votojnë Ilir Metën. Nëse janë 15 mijë, po prapë do votojnë Ilir Metën. Kjo bën që Ilir Meta t’i djegë gjithë kandidatët e tjerë të listës së PD-së, që do të ndajnë mes tyre votat e PD-së.
Me këtë rast, do të identifikohet edhe votuesi i Partisë së Lirisë përmes votave për Ilir Metën, dhe do të dalë që PD-ja ia ka dhënë kot dy deputetë në listë të mbyllur.
Është kjo arsyeja që dhe vetë Partia e Lirisë ka nisur të kërkojë vota të PD-së për Ilir Metën, që të mos zbulohet sa pak vota ka partia e tij.
Por ndërkohë, Berisha ia ka bërë gjëmën PD-së, pasi duke nxjerrë Ilir Metën në listë të hapur, ka vrarë garën dhe ka mbyllur edhe listën e hapur.
Si për ironi të fatit, pas tij, i dyti me më shumë shanse është Shpëtim Idrizi, i cili po ashtu e ka siguruar një deputet në listën e mbyllur dhe vetë garon në listën e hapur. Por nëse ai merr gjithë votat e komunitetit çam në Tiranë pro PD-së, ai identifikon dhe votën e komunitetit dhe siguron më shumë vota se rivalët e tjerë të PD-së.
Pra, në mos Meta, Idrizi marrin të parin apo të dytin e listës së hapur, duke e lënë PD-në pa asnjë shpresë për garë në listën e hapur.
Berisha ishte i qartë kur u futi atyre deputetë në listë të mbyllur dhe lejoi kryetarët në listë të hapur, duke prishur garën dhe duke nxjerrë jashtë loje kandidatët e PD-së.
E vetmja mënyrë që ta shmangte këtë ishte ose të mos i fuste fare në listë të hapur, ose të dilte vetë në listë të hapur për të shpëtuar kandidatin e parë të listës së hapur.
Por ai nuk beson se do të ketë kandidatë përtej listës së mbyllur, ndaj nuk rrezikoi për vete.
Rrezikoi çdo shans tjetër të PD-së përveç mandatit të tij, duke vendosur Ilir Metën si mbyllës të listës së hapur./ S,M