Igor Tudor ka pranuar ofertën e Juventusit për të marrë drejtimin e ekipit deri në fund të këtij sezoni. Një vendim për të drejtuar skuadrën me objektivin për të luftuar për vendin e katërt që të garanton praninë në Ligën e Kampioneve. Më pas, gjithçka është për t’u deshifruar.
Kontrata e Tudor është shumë e çuditshme për shkak të klauzolave që ka. Juventusi në fakt ka kontratë me te deri në 30 qershor dhe do të përfitojë rreth 500 mijë euro për këtë eksperiencë, sido që të shkojë ajo. Kjo nuk garanton që trajneri do të çojë deri në fund Botërorin e Klubeve ku Juventusi merr pjesë, pasi ai fillon në gjysmë të qershorit dhe mbaron në gjysmë të korrikut.
Por kjo nuk është pika më e çuditshme. Në kontratë është nënshkruar një klauzolë për rinovim automatik për një tjetër edicion nëse ai ia del të kualifikojë ekipin në Ligën e Kampioneve. Një klauzolë që nuk garanton përsëri që ai të vazhdojë të jetë trajneri i Juventusit për sezonin e ardhshëm.
Juventusi ka vendosur aty një klauzolë tjetër, sipas të cilës klubi ka të drejtë ta shkarkojë menjëherë në fund të sezonit edhe nëse arrin objektivin, duke i paguar një penalitet të vogël. Në klub duan të jenë të qetë për të bërë zgjedhjen e tyre të re për pankinën dhe jo të kushtëzuar nga vendi i katërt i mundshëm i bardhezinjve në kampionat, gjë që do të thotë se suksesi i Tudor jo detyrimisht do të përkthehet në një karrierë të gjatë te Juventusi./ D.C