Nga Ylli Pata
Deklarata e Flamur Nokës, gjatë takimit me një pjesë të diasporës dibrane në një komunë të rajonit të Campania-s në Itali, përbën edhe thelbin e ngërçit politik të fushatës, të paktën deri tani.
Noka, referuar refrenit politik të Edi Ramës për hyrjen në Bashkimin Europian, tha se ky objektiv nuk ka për tu realizuar. Pasi sipas tij, BE as nuk e ka ndërmend të fusë Shqipërinë. Një deklaratë, që në fakt ishte një përsëritje e një qëndrimi tjetër të Sali Berishës, i cili tha se Komisioni Europian e ka ngelur në klasë qeverinë shqiptaret në lidhje me kapitujt e negociatave të anëtarësimit.
Deklaratë, e cila u përgënjështrua menjëherë nga Komisioni Europian, i cili, duke ju përgjigjur një pyetje për report tv, tha të kundërtën e asaj që kishte thënë kreu i PD-së.
Edi Rama, i cili, në aspektin metodik të PR-it është më i formatuari, që kur e ka nisur zyrtarisht zanatin e politikanit, përsërit thuajse në çdo takim që zhvillon, thelbin e mesazhit elektoral të Partisë Socialiste të 11 majit. “Votoni për ne që të arrijmë të fusim Shqipërinë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030”. Mesazh që edhe si pasojë e përsëritjes pa mbarim ka arritur në audiencën e përgjithshme, por që duket se nuk kemi parë gjë akoma. Pasi deri më 11 maj, nuk do të reshtë të përsëritet pambarim në çdo miting, takim, apo diskutim elektoral që shpërndahet në mënyrë virale në rrjetet sociale të Ramës. Të cilët duhet thënë, kanë pësuar këto ditë një rritje eksponenciale të audiencës, gjë që shihet edhe në platformat e partive të tjera.
Por të rrijmë tek argumenti BE. Realisht Edi Rama ka të drejtë kur thotë që PS është e vetmja parti europiane që bën fushatë me BE-në. Partitë e majta të kontinentit nuk guxojnë që ta kenë argument kryesor Bashkimin Europian, pasi kanë frikë se humbin konsensus nga pjesa skeptike që në thuajse të gjitha vendet e BE-së është e konsiderueshme. Në Britaninë e Madhe, gjatë fushates së Brexit, edhe pse shumica e elektoratit laburist ishte kundër daljes nga BE, lideri i atëhershëm Jeremy Corbyn, ishte edhe më pro daljes nga Europa se rivali i tij konservator. E majta italiane është e përçarë në lidhje me argumentin BE, sa liderja e koalicionit të qendrës së majtë, kreu i PD-së, Ely Schlein, përdor leva me spondë për të dalë tek argumenti Europë.
Disa ditë më parë, në Romë u mbajt një tubim madhështor pro Europës e kundër retorikës trumpiane në “Piazza del Popolo”. Por nisma u thirr nga një gazetar dhe analist i njohur i La Repubblica-s, Michele Serra, ku natyrisht sheshi u mbush nga militantët e Partisë Demokratike Italiane. I vetmi që flet për Shtetet e Bashkuara të Europës është ish-kryeminisri Matteo Renzi që ka një parti të vogël të qendrës dhe është në koalicion me të majtën.
Në Ballkan, në fushatat e fundit, askush nuk ka folur për argumentin BE. Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Kroaci, vend anëtar i Bashkimit Europian, fituesi i tyre, kreu i socialdemokratëve, Zoran Milanoviç, ishte si një kandidat euroskeptik, ku në disa nuanca dilte edhe pak si filorus, vetëm e vetëm për të kapur atë pjesë të elektoratit që ka pakënaqësi me Unionin.
Me një fjalë, argumenti BE që ka hapur Edi Rama, është një kauzë që nuk para përdoret vitet e fundit. Megjithatë fakt është se Rama po e mban fushatën në këtë shtyllë, pra po e vërtit retorikën e gjithë tek kjo logjikë.
Dy rrugë ka për pjesën tjetër të politikës; pra për opozitën, ose ta quajnë edhe ato si kauzë të tyre, ose ta rrëzojnë, duke dalë me një qëndrim të ndryshëm.
E para, do të krijonte një debat interesant që ndoshta edhe mund ta ndihmonte opozitën, duke krijuar tek audienca europiane, një përceptim se politika shqiptaret e ka të ngulitur dhe kauzë politike Bashkimin Europian. Opozita, mund të jepte në këtë debat qëndrimin e saj se si Shqipëria mund të hyjë në BE, edhe duke mos fituar mazhoranca, por duke ardhur një qeveri e ndryshme.
Nëse do të ndodhte kjo, atëherë edhe Rama, do ta modifikonte qëndrimin e vet politik, kur thotë se nëse nuk marrim një mandat të fortë, një qeveri tjetër mund të ngadalësonte negociatat. Deri tani qëndrimi i PD-së, e cila kjo kauzë i është kthyer në një ngërç, thjesht po i vjen në vijë logjikës së kryeministrit dhe kreut të mazhorancs.
Nga ana tjetër nëse opozita do të kishte një qëndrim të ndryshëm nga BE, atë duhet ta elaborojë dhe ta kthejë në një ideologji politike. Pasi në Ballkan dhe Europë ka shumë forca politike që janë në thelb kundër BE-së.
Por ngërçi i opozitës, po ngjan me reagimin e tyre me grackën e bufit të kënetës. Ku në vend të një platforme politike që do të rrëzonte retorikën apo karikaturimin opozitar të Edi Ramës, ata merren me një idealizim të bufit si personazh. Ideologë të Berishës, ata që i quajnë profesorë, edhe pse janë mustaqe pa dirsur, por edhe panelistë në TV nuk reshtin së sjelluri argumenta se bufi është një personazh pozitiv, jo vetëm për kënetat e moçalet, por edhe në historinë antike apo shkrimet e shenjta. Me një fjalë bien në batakun që ka ngritur Rama, të cilit i shkojn prapa në çdo gozhdë elektorale që ngul ai në tubimet e tij…/k.k