Më 6 janar, Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se dëshiron që Groenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake apo ekonomike për të bindur Danimarkën ta dorëzojë ishullin me burime të pasura minerale dhe me rëndësi strategjike.
“Groenlanda është një vend i jashtëzakonshëm dhe populli i saj do të përfitonte jashtë mase nëse dhe kur të bëhet pjesë e kombit tonë”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Kërkesat e Trump për Groenlandën nuk janë të reja. Ai pati shprehur interesimin e tij për ta blerë ishullin nga Danimarka edhe në vitin 2019, por u refuzua.
Pse Trump dëshiron Groenlandën?
Groenlanda ka një rëndësi të veçantë strategjike për ushtrinë amerikane dhe sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm kundër raketave balistike. SHBA ka një prani të përhershme ushtarake në bazën ajrore Pituffik, ndërsa ka shprehur interesin për të zgjeruar praninë e saj, duke përfshirë edhe vendosjen e radarëve për monitorimin e lëvizjeve detare midis Groenlandës, Islandës dhe Britanisë së Madhe.
Përveç pozicionit strategjik, Groenlanda ka gjithashtu pasuri të konsiderueshme natyrore. Një studim i vitit 2023 tregoi se 25 nga 34 mineralet e kualifikuara si “materiale kritike” nga Komisioni Evropian ndodhen në Groenlandë. Këto përfshijnë minerale si grafiti, litiumi dhe elementë të rrallë, të cilat janë të domosdoshme për bateritë, automjetet elektrike dhe turbinat e erës.
Megjithatë, zhvillimi i këtyre burimeve ka qenë i ngadaltë për shkak të ndalimit të nxjerrjes së naftës dhe gazit për arsye mjedisore, si dhe burokracisë dhe kundërshtimeve nga popullsitë indigjene.
A mund të blihet Groenlanda?
Groenlanda ka qenë pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet, por aktualisht gëzon autonomi të gjerë dhe ka të drejtën e shpalljes së pavarësisë me referendum. Për ndryshimin e statusit të saj, do të nevojitej një ndryshim kushtetues në Danimarkë.
Vendasit kanë deklaruar se ishulli nuk është në shitje dhe se e ardhmja e tij do të vendoset nga populli i Groenlandës.
Historikisht, SHBA ka shprehur interes për Groenlandën. Në vitin 1946, presidenti Harry Truman u përpoq ta blinte ishullin për 100 milionë dollarë në ar, por Danimarka e refuzoi ofertën.
E ardhmja e Groenlandës
Nëse Groenlanda shpall pavarësinë, mund të zgjedhë të krijojë një aleancë me SHBA, ashtu si vendet ishullore të Oqeanit Paqësor, si Ishujt Marshall, Mikronezia dhe Palau.
Megjithatë, ndonëse shumica e banorëve të Groenlandës dëshirojnë pavarësi, shqetësimi kryesor mbetet varësia ekonomike nga Danimarka, e cila siguron afro gjysmën e buxhetit të ishullit përmes subvencioneve.
Aaja Chemnitz, deputete e Groenlandës në parlamentin danez, ka kundërshtuar idenë e Trump-it, duke theksuar se “Groenlanda nuk është një peshk që mund të blihet dhe shitet”.
Qëndrimi i Danimarkës
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cilësoi ofertën e Trump-it për blerjen e Groenlandës në 2019 si “absurde”. Lidhur me deklaratat e tij të fundit, ajo ka theksuar se bashkëpunimi me SHBA-të është i rëndësishëm, por se Groenlanda mund të vendosë vetë për të ardhmen e saj.
Me tensione të rritura mes Groenlandës dhe Danimarkës, si dhe me ambiciet e SHBA-ve, e ardhmja e ishullit mbetet e pasigurt. Megjithatë, është e qartë se Groenlanda nuk do të jetë një pazar i thjeshtë në planet e Trump-it. /e.t