Filmi i ri artistik i Disney-t, një adaptim i përrallës klasike “Borëbardha”, ka kryesuar listën e filmave më të shikuar në arkën filmike të Amerikës së Veriut, pavarësisht komenteve negative në internet.
Sipas të dhënave të Box Office Mojo, gjatë fundjavës së parë të shfaqjes, filmi ka gjeneruar rreth 87.3 milionë dollarë në nivel global, ku pothuajse gjysma e kësaj shume vjen nga Amerika e Veriut.
Megjithatë, kjo shifër është nën pritshmëritë, veçanërisht duke pasur parasysh se buxheti i filmit raportohet të ketë tejkaluar 270 milionë dollarë.
Pavarësisht se pritej të ishte një sukses i garantuar, adaptimi i ri i animacionit klasik të vitit 1937 është përballur me polemika të shumta përpara premierës së tij.
Riadaptimi i filmit “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët” u bë temë debati për ndasitë sociale dhe politike, madje edhe para se të jepej premiera në kinematë e botës.
Kjo përfshinte kritika lidhur me zgjedhjen e aktores Rachel Zegler, e cila ka prejardhje kolumbiane, në rolin e heroinës kryesore.
Gjithashtu, pati reagime të ashpra ndaj komenteve pro-palestineze të Zegler-it, si dhe ndaj komenteve pro-izraelite të aktores izraelite Gal Gadot, e cila luan rolin e Njerkës së Borëbardhës./e.t