Rritjet dhe indeksimet e vazhdueshme të pensioneve në këto mandate të qeverisjes aktuale, sipas ekspertëve, nuk janë mjaftueshëm.
Madje, buxheti i shtetit ka pasur mundësi të bëjë shumë më tepër se kaq, duke e mbështetur me shifrat e kontributeve të vjela në arkën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. I ftuar në “News 24”, eksperti i pensioneve ka analizuar skemën aktuale dhe duke folur me gjuhën e shifrave, i bëri një apel qeverisë që përpos deklaratave që jo të gjithë i kuptojnë, të bëjë më shumë hapa për ndalimin e vjedhjeve dhe informalitetit, pasi pensionet kanë mundësi reale për t’u rritur pa u ngushtuar shumë në buxhet.
EKSPERTI
Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, ka shpjeguar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” në “News24” se ka mundësi reale që pensionet në Shqipëri të rriten, duke i bërë thirrje qeverisë të luftojë informalitetin dhe vjedhjet. Hoxha theksoi se raportet mes kontribuuesve dhe përfituesve duhet të shqyrtohen me kujdes dhe e hodhi poshtë shifrën që pati shpallur Kryeministri Edi Rama, për 600 mijë qytetarë që nuk kontribuojnë në sigurimet shoqërore, duke i konsideruar ato jo të sakta.
Sipas Hoxhës, pensionet janë rritur shumë pak në vitet e fundit dhe deklaratat e kryeministrit për një pension minimal prej 200 euro në vitin 2030 nuk përputhen me realitetin aktual, ku pensionistët kërkojnë një pension më të lartë, rreth 20 mijë lekë të reja në muaj. Ai shtoi se, megjithatë, ka mundësi për një rritje të pensioneve, madje më shumë se 200 mijë lekë të vjetra (rreth 250 mijë lekë të vjetra), nëse qeveria angazhohet për të luftuar informalitetin dhe për të zvogëluar humbjet nga vjedhjet.
Hoxha gjithashtu theksoi se të ardhurat kombëtare kanë arritur në 25 miliardë, që i jep mundësi qeverisë për të realizuar këtë rritje.
“Raportet e kontribuuesve dhe përfituesve duhen parë me kujdes. Rama tha se 600 mijë qytetarë nuk kontribuojnë në kontribute shoqërore dhe marrin shërbime shëndetësore. Shifra ishte e çuditshme. Shifra nuk qëndron. Jemi në fushatë dhe iu thotë qytetarëve, që ju nuk siguroheni dhe unë nuk kam se çfarë t’ju rris pensionet.
Kryeministri tha se pensioni minimal 200 euro do jetë kaq në vitin 2030. Pensionet ndër vite janë rritur shumë pak. Deklarata nuk i përgjigjet realitetit të sotëm, pasi pensionistët duan pension 20 mijë lekë të reja sot. Mundësitë reale janë që pensionet të rriten. Qeveria thotë se nuk rris dot pensionet me sigurimet shoqërore.
Të ardhurat kombëtare kanë arritur në 25 miliardë e ka thënë vetë kryeministri dhe me pak kujdes, pensionet mund të rriten, madje edhe më shumë se 200 mijë lekë të vjetra, 250 mijë të vjetra. Qeveria të luftojë informalitetin dhe vjedhjet”, – vuri në dukje Hoxha./ S,M