Shtetet e Bashkuara i kanë dorëzuar Sirisë një listë të kushteve që Damasku duhet të përmbushë në këmbim të lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve. Kjo bëhet e ditur nga Reuters, duke cituar gjashtë zyrtarë.
Zëvendës Ndihmës Sekretarja e SHBA për Levantin dhe Sirinë, Natasha Franceschi, i dha listën e kërkesave ministrit të Jashtëm sirian Asaad al-Shibani në një takim personal në margjinat e një konference donatorësh në Bruksel më 18 Mars.
Ndër kushtet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara janë shkatërrimi nga Siria i çdo depoje të mbetur të armëve kimike dhe bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, sipas Reuters. Një tjetër kërkesë është që të sigurohet se luftëtarët e huaj të mos marrin role të larta në strukturën qeverisëse të Sirisë.
Siria ka emëruar tashmë disa ish-rebelë të huaj, duke përfshirë ujgurët, një jordanez dhe një turk, në ministrinë e saj të mbrojtjes, një veprim që alarmoi qeveritë e huaja.
Në këmbim të përmbushjes së të gjitha kërkesave, Uashingtoni do të sigurojë disa lehtësime sanksionesh./K.K