Të gjithë klubet e mëdha europiane nesër do të kenë një vëmendje të veçantë te konferenca për mediat që do të zhvillohet nga Xab i Alonso. Ajo në praktikë është konferenca e zakonshme për mediat para ndeshjes së Bayer Leverkusen kundër Bochumit. Por ka filluar të qarkullojë me shpejtësi një zë që gjatë konferencës ai do të zbulojë të ardhmen e tij, nëse do të qëndrojë në klub apo do të largohet në mbyllje të edicionit.
Kontrata e tij me Leverkusenin zgjat deri në fund të edicionit të ardhshëm dhe Alonso deri tani nuk ka folur në asnjë moment për të. Por kjo konferencë pritet të jetë ajo në të cilën ai të shpalosë objektivat për të ardhmen, duke marrë në konsideratë faktin se ka disa opsione interesante në qarkullim për të.
Në fakt, në Gjermani presin të gjithë që ai të dalë dhe të deklarojë se do të qëndrojë edhe vitin e ardhshëm, që do të ishte një shtysë më shumë për ekipin në një moment kur duket se është rifutur në garën për titullin. Emri i tij qarkullon shpesh në ambientet e Real Madrid, por pritja derisa të mbarojë kontrata e Ancelottit në vitin 2026, tani duket si opsioni më i mirë i mundshëm për të./ D.C