Shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë Shqipërisë kanë sjellë më shumë të ardhura pranë të afërmve të tyre.Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjatë vitit të kaluar remitancat kanë arritur në 1 miliard e 45 milionë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, dhe në raport me vitin 2023 rezulton 116 milionë euro më tepër.
Por dërgesat e emigrantëve janë edhe më të larta, nëse vlerësojmë edhe miliona euro që vijnë në vend cash, sidomos në periudhën e verës kur emigrantët kthehen në vend për pushime apo festa të ndryshme.
Tre muajt e fundit të vitit 2024 kanë shënuar rekord të të ardhurave nga emigrantët, me rreth 272 milionë euro dërgesa. Kjo rezulton se është më e larta që nga viti 2008, me një rritje prej 8.2% krahasuar me të njëjtën periudhë.
Remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave për një numër të konsiderueshëm familjesh. Po ashtu të ardhurat e emigrantëve vlerësohen si një ndër faktorët që ndikojnë direkt në dobësimin e monedhës europiane në vendin tone.
Në Shqipëri, një në katër familje marrin para nga emigrantët që rezultojnë se janë burimi I rëndësishëm I të ardhurave .Nga të dhënat rezulton se janë gjithsej 220 mijë familje që jetojnë me këto të ardhura, në pamundësi të një burimi tjetër./k.k