Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në eventin për çeljen e Programit për Përshpejtimin e Pranimit të Pagesave Elektronike në partneritet me Mastercard Europe vlerësoi rritjen e pagesave me karta dhe dixhitalizimit financiar, që i shërben edhe ekonomisë dhe kursimit.
Sejko theksoi se Shqipëria ka arritur të tregojë se edhe në fushën e pagesave ka arritur të përmbushë më së miri detyrat e saj çka u certifikua me anëtarësimin e saj në zonën gjeografike SEPA.
“Shqipëria si vend pararojë në Ballkan arriti të tregojë se edhe në fushën e pagesave ka arritur të përmbushë më së miri detyrat e saj çka u certifikua me anëtarësimin e saj në zonën gjeografike SEPA. Në këtë garë të hapur midis vendeve të Ballkanit Perëndimor të lidhur me planin e ri të Rritjes dhe financimet për secilin vend Shqipëria arriti të tregonte epërsi ndaj vendeve në një fazë edhe më të avancuar zhvillimi në procesin e integrimit”, thotë Guvernatori Sejko.
Guvernatori ndër të tjera theksoi se në 4 vitet e fundit përdorimi i kartave është rritur 300 për qind ose tre herë më shumë duke bërë kartat pra instrumentin me të përdorur për pagesat elektronike
“Në tregun shqiptar kartat janë instrumenti më i përdorur me të cilat qytetarët dhe bizneset janë familjarizuar ndjeshëm. Kështu në 4 vitet e fundit përdorimi i kartave është rritur 300 për qind ose tre herë më shumë duke bërë kartat pra instrumentin me të përdorur për pagesat elektronike ku 7 transaksione nga 10 sot kryhen me kartë”, tha Sejko./ S,M