Ndeshja e futbollit të femrave mes Apolonisë dhe Gramshit (1-0) e zhvilluar të mërkurën në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier degjeneroi në presion, prekje fizike dhe kërcënime.
Protagonistë ishin zyrtarët meshkuj të Apolonisë, presidenti Koço Kokëdhima dhe trajneri Maringlen Kule.
Gjithçka ndodhi pas minutës së 65-të, kur gjyqtari Dorjan Maletaj akordoi faull jashtë zone në dëm të Apolonisë dhe karton të kuq për mbrojtësen vendase, Xhulia Xhindole.
Kaq mjaftoi që trajneri i Apolonisë së vajzave, Maringlen Kule të lëshonte me “breshëri” një grumbull të sharash dhe ofendimesh në drejtim të arbitrit dhe si të mos majftonte kjo ai u fut në fushë, por u ndalua nga futbollistet vendase, para se t’i tregohej kartoni i kuq.
Veç tij, edhe një tjetër anëtar i stafit fierak u fut në fushë dhe me shumë zell kërcënoi arbitrin dhe dy asistentet. Pas këtyre ishte radha e Koço Kokëdhimës, presidentit të Apolonisë.
Ky i fundit ushtroi presion ndaj arbitrit, madje shkoi deri aty sa i tregoi rregulloren, e preku dhe e shtyu këtë të fundit. Skandali vijoi kur në pamjet e siguruara nga Report TV dëgjohen “lumë të sharash” edhe nga Koço Kokëdhima, që i thotë arbitrit “jepe në tavolinë, bq m***”./K.K