Carlo Ancelotti dhe Real Madrid janë në ankth. Trajneri i mirënjohur italian rrezikon deri në katër vite burg, nëse ndaj tij konfirmohen akuzat për evazion fiskal.
Të mërkurën e ardhshme në kryeqytetin spanjoll do të nisë edhe gjyqi, ku tekniku është i pandehur. Njoftimi është dhënë nga Gjykata e Provincës së Madridit. Sipas prokurorëve të çështjes, Ancelotti i ka fshehur tatimeve mbi një milion euro në periudhën nga viti 2014 deri në 2015-ën.
Ajo ishte koha kur ai drejtoi për herë të parë stolin e Realit të Madridit. 65-vjeçari nuk kishte deklaruar të ardhurat nga shfrytëzimi i imazhit. Prokurorët i kanë kërkuar gjykatës një dënim mjaft të ashpër për trajnerin: 4 vjet e nëntë muaj burg.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, çështja kryesore do të lidhet me vendin e rezidencës së Ancelottit, i cili u largua nga Reali gjatë sezonit 2014-2015, por sipas akuzës, Spanja vijonte të ishte “qendra kryesore për të në marrëdhëniet personale dhe për interesat ekonomikë” deri në fund të vitit.
Tekniku i kishte paguar një gjobë tatimeve dhe në atë periudhë ishte mbrojtur duke deklaruar se nuk banonte në Spanjë./k.k