Problemet e mëdha të shkaktuara nga vendimi i Donald Trump për të tërhequr SHBA-të nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pasqyrohen në një memo të brendshme të organizatës, raporton Reuters.
OBSH po propozon të reduktojë stafin e saj dhe fushëveprimin e punës së saj me një të pestën.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump u tërhoq nga OBSH me marrjen e detyrës në janar, duke thënë se agjencia globale e shëndetit kishte keqpërdorur pandeminë COVID-19 dhe kriza të tjera ndërkombëtare shëndetësore. SHBA është deri tani mbështetësi më i madh financiar i agjencisë shëndetësore të OKB-së, duke kontribuar rreth 18% të financimit të saj të përgjithshëm.
Tërheqja e SHBA-së ka përkeqësuar një krizë financimi për shkak të reduktimit të shpenzimeve të tyre për zhvillim nga shtetet anëtare. E përballur me një boshllëk të ardhurash prej afro 600 milionë dollarë këtë vit, OBSH ka propozuar të ulë buxhetin e saj për 2026-2027 me 21% nga 5.3 miliardë dollarë në 4.2 miliardë dollarë, sipas memorandumit.
“Njoftimi i Shteteve të Bashkuara, i kombinuar me reduktimet e fundit të asistencës zyrtare për zhvillim nga disa vende për financimin e rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes, e ka bërë situatën tonë shumë më të mprehtë”, thuhej në memorandumin e OBSH-së, e cila mban datën 28 mars dhe e nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në shkurt, bordi ekzekutiv i OBSH-së fillimisht reduktoi buxhetin e propozuar për 2026-2027 nga 5.3 miliardë dollarë në 4.9 miliardë dollarë.
“Megjithë përpjekjet tona më të mira, ne jemi tani në pikën ku nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të zvogëlojmë shkallën e punës dhe fuqisë sonë punëtore”, thuhet në memorandum./E.T