Sot në orët e para të së dielës, (30 mars), u ndërrua ora. Në orën 02:00, akrepat e orës shkuan 60 minuta para.
Kjo do të bëjë që të humbasim 1 orë nga gjumi i mëngjesit, duke u zgjuar më herët. Qëllimi i ndryshimit të orës është për të përfituar sa më shumë nga energjia diellore si dhe kursimi i energjisë elektrike.
Ora verore do të zgjasë deri të dielën e fundit të muajit tetor, kur akrepat do të kthehen 1 orë pas.
Si lindi koncepti i orës verore?
Ishte viti 1907 kur anglezi William Willett paraqiti idenë e “Kohës verore”, në mënyrë që njerëzit të mos i çonin kot orët e çmuara të dritës gjatë mëngjeseve verore.
Willett e mendoi këtë ide në mënyrë që t’i nxirrte njerëzit nga shtrati më herët, duke e ndryshuar orën. Ai propozoi që ora duhej të shtyhej për 80 minuta në katër hapa progresivë gjatë muajit prill dhe në të njëjtën mënyrë gjatë muajit shtator. Ëillett pastaj e kaloi pjesën tjetër të jetës së tij duke u përpjekur për t’i bindur njerëzit se skema e tij ishte e duhura.
Për fat të keq, ai vdiq nga një grip në vitin 1915, në moshën 58-vjeçare, një vit para se gjermanët ta adaptonin planin e tij për ta ndryshuar orën më 30 prill 1916, por jo për 80 minuta, por për 60, kur ora u kthye mbrapa në 23:00. Britania më pas ndoqi këtë ndryshim më vonë, më 21 maj.
Akti i “Kohës verore” ishte miratuar nga Parlamenti i Britanisë më 1916, dhe më 21 maj 1916 ishte dita e parë e llogaritjes së ‘Kohës Verore’.
Si ta kemi më të lehtë kalimin nga ora dimërore në atë verore?
Ndërrimi nga ora dimërore në atë verore mund të jetë disi sfidues për disa njerëz, pasi humbasim një orë gjumi. Ja disa këshilla që mund të ndihmojnë në përballimin më të lehtë të këtij ndryshimi:
Qëndro aktiv gjatë ditës: Aktivitetet fizike gjatë ditës ndihmojnë në rregullimin e orës biologjike të trupit, duke e bërë më të lehtë kalimin në orarin e ri.
Përdor dritën natyrale: Drita është një stimulues i fuqishëm për orën biologjike. Pasi të zgjohesh, ekspozohu sa më shumë mundesh ndaj dritës natyrale për të ndihmuar trupin të përshtatet me orarin e ri.
Ruaj një rutinë të rregullt: Përdor një orar të rregullt për gjumë dhe zgjim për të ndihmuar trupin të përshtatet me orën e re. Mundohuni të zgjoheni dhe të shtriheni çdo ditë në të njëjtën orë.
Krijo një atmosferë të qetë për gjumë: Sigurohuni që dhoma ku flini të jetë e qetë, e errët dhe me temperaturë të përshtatshme, për të përmirësuar cilësinë e gjumit tuaj dhe për t’u ndier më të freskët në mëngjes.
Qëndroni pozitivë: Mos u shqetësoni shumë për humbjen e një ore. Trupi ynë është shumë fleksibël dhe do të përshtatet me kalimin e kohës./ S,M