“Të mos e shesim vullnetin tonë!” Me këtë thirrje ju drejtua besimtarëve gjatë fjalës së tij në faljen e namazit me rastin e Fiter Bajramit, Myftiu i Elbasanit.
“Vota është amanet. Zgjedhjet janë një festë demokratike, një shprehje e vullnetit të popullit dhe duhet të jenë të pastra nga çdo ndotje. Le të orientohemi nga virtyti dhe përgjegjësia, të mos e shesim vullnetin tonë, të mos e blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Të mos lejojmë që lista dhe përfaqësimi të matrapazohen, por të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët”, u shpreh ai.
Këtë mesazh përcolli në fjalën e tij gjatë faljes ceremonisë së faljes së namazit për Fiter Bajramin, myftiu i Elbasanit Agim Duka. Duke e cilësuar muajin e Ramazanit një shkollë edukimi shpirtëror dhe moral, ai bëri thirrje për reflektim dhe përgjegjësi qytetare.
Falënderimi i qoftë Allahut, që na dha mundësinë të përjetojmë muajin e bekuar të Ramazanit dhe të arrijmë në ditën e sotme, në këtë festë të madhe, Bajramin e Fitrit.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi gjithë ata që ndjekin rrugën e së vërtetës deri në Ditën e Gjykimit. Vëllezër dhe motra besimtarë! Muaji i Ramazanit ishte një shkollë edukimi shpirtëror dhe moral. Ai na mësoi përmbajtje, durim, solidaritet dhe ndjeshmëri.
Agjëruam për hir të Allahut, u larguam nga e kota dhe i forcuam lidhjet me të mirën.Allahu në Librin e Tij të Shenjtë thotë:“O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim ashtu siç ishte bërë obligim për ata para jush, që të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183).Pra qëllimi i agjërimit nuk është vetëm largimi nga ushqimi, por ngritja jonë në shkallë devotshmërie, në raportin tonë me Zotin, me veten dhe me të tjerët.
Në këtë ditë feste, le të reflektojmë se çfarë kemi fituar nga Ramazani dhe si mund t’i mbajmë gjallë këto vlera në jetën tonë të përditshme.Një tjetër vlerë që duhet ta kujtojmë sot është përgjegjësia qytetare. Ne si shoqëri do të përballemi me procesin e zgjedhjeve, e kjo është një mundësi dhe provë për të treguar emancipim dhe ndërgjegje.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:“Vërtet, Allahu ju urdhëron t’u jepni amanetet atyre që janë të denjë për to dhe, kur gjykoni mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi.” (En-Nisa: 58).Vota është amanet. Zgjedhjet janë një festë demokratike, një shprehje e vullnetit të popullit dhe duhet të jenë të pastra nga çdo ndotje.
Le të orientohemi nga virtyti dhe përgjegjësia, të mos e shesim vullnetin tonë, të mos e blejmë ndërgjegjen e tjetrit. Të mos lejojmë që lista dhe përfaqësimi të matrapazohen, por të jenë në shërbim të së mirës së përbashkët.Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:“Secili prej jush është përgjegjës dhe do të japë llogari për përgjegjësinë e tij.” (Buhariu dhe Muslimi)
Vëllezër e motra!Pas Bajramit, jeta vazhdon dhe sprovat nuk pushojnë. Por Allahu na përgëzon se kush qëndron i drejtë dhe i palëkundur në rrugën e Tij, ka shpërblim të madh:“Ata që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu!’ e pastaj qëndrojnë të palëkundur, atyre u zbresin engjëjt (duke u thënë): ‘Mos kini frikë dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzohuni me Xhenetin që ju është premtuar.’”
(Fussilet: 30).Le të jemi ndër ata që e vazhdojnë rrugën e mirë, që mbjellin mirësi, që kontribuojnë me ndershmëri dhe që udhëhiqen nga ndërgjegjja e pastër.Lusim Allahun të na pranojë agjërimin dhe adhurimet tona. Të na udhëzojë drejt së mirës dhe të na japë udhëheqës të devotshëm dhe të drejtë.Gëzuar Fiter Bajramin! Allahu e bekoftë popullin tonë dhe i forcoftë themelet e paqes, drejtësisë dhe mëshirës mes nesh./ S,M