Një ligj i ri i miratuar në Belgjikë ndalon ekspozimin e cigareve dhe produkteve të duhanit në dyqane, ndërsa supermarketeve me sipërfaqe mbi 400 metra katrorë u ndalohet t’i shesin ato fare.
Kjo masë, e cila hyri në fuqi të martën, synon të kufizojë blerjet impulsive dhe të reduktojë varësinë nga duhani.
Ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, deklaroi se objektivi kryesor është krijimi i një gjenerate pa duhan deri në vitin 2040.
Ai sqaroi se cigaret dhe vapat nuk janë të ndaluara për shitje, por nuk mund të jenë të dukshme në dyqane – konsumatorët duhet t’i kërkojnë ato posaçërisht nga shitësit.
Shitësit me pakicë po përballen me vështirësi në zbatimin e rregullave të reja, pasi nuk janë dhënë udhëzime apo pajisje për fshehjen e produkteve të duhanit.
Ndërkohë, qytetarët janë të ndarë mbi efektivitetin e masës: disa besojnë se do të ndihmojë në parandalimin e duhanpirjes te të rinjtë, ndërsa të tjerë mendojnë se varësia nuk ndalet vetëm duke fshehur cigaret nga sytë e konsumatorëve.
Ndërkohë, Belgjika ka nisur që më 1 janar ndalimin e cigareve elektronike të njëpërdorshme, ndërsa ligjvënësit po shqyrtojnë fazën e ardhshme të planit – ndalimin e pirjes së duhanit në tarracat publike./ S,M