Teksa politika shqiptare dhe ndërkombëtare po tronditet nga zhvillime të papritura, konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako sjell një analizë ndryshe mbi prapaskenat e mëdha që po luhen në sfond. A do të kemi arrestime të bujshme para zgjedhjeve? A është rënia e “të paprekshmëve” e pashmangshme?
Sipas tij, përplasja mes SHBA-së dhe Europës mbi fatin e Edi Ramës dhe Sali Berishës është më e ashpër se kurrë. Ndërsa DASH vazhdon të shpallë “non-grata” zyrtarë të lartë, Cako paralajmëron një tjetër “bombë”, se Berisha, sipas tij, është pranë largimit përfundimtar nga skena politike. Por çfarë qëndron pas këtij skenari?
Si lidhet kjo me lëvizjet globale të Trumpit dhe betejën e re mes SHBA-së, Europës dhe Rusisë? Për këto dhe më shumë detaje, zoti Cako flet në këtë intervistë për gazetën “SOT”, ku ndër të tjera prek prapaskenat e politikës dhe gjeopolitikës, duke zbuluar skenarët që mund të ndryshojnë lojën.
-Zoti Cako, a pritet që SPAK të kryejë arrestime të bujshme para zgjedhjeve, dhe a kemi hyrë në fazën ku të paprekshmit do të dalin para drejtësisë?
Arrestimet para zgjedhjeve mund të ndodhin nën presionin e amerikanëve në SPAK. Evropianët janë me Edi Ramën dhe nuk duan arrestime në Qeveri e PS para zgjedhjeve. Amerikanët duan ta ulin PS me uljen e imazhit të elektoratit poshtë mazhorancës në Kuvend dhe të forcojnë PD e partitë e vogla. Ata e dinë që PD nuk bëhet dot mazhorancë dhe pas zgjedhjeve duan t’u thonë, si Ramës dhe Berishës, që të largohen nga partitë e tyre. Ndërsa Evropa do Edi Ramën me një mandat të katërt. Kjo do të varet edhe nga OSBE-ODIHR.
-DASH ka nisur së fundmi shpallje të reja non grata për zyrtarë të korruptuar, sikundër është sanksionimi i ish-presidentes së Argjentinës. A është ky një sinjal i qartë se edhe rishikimi i non gratës për Berishën është i pamundur?
‘Non-gratat’ e Trumpit janë kundër miqve të demokratëve dhe Kabalës. Në përgjithësi, ‘non-gratat’ e demokratëve amerikanë ishin kundër anti-globalistëve. Kështu që nuk duken shumë të lidhura këto raste, megjithëse personalisht kam mendimin se Berisha konsiderohet nga Trump e M.Rubio si një globalist i thekur që ka dalë nga rreshti i tyre pasi nuk u ka zbatuar këshillat për t’u larguar nga politika dhe PD. Personalisht mendoj se deri më 11 maj Berisha do të jetë ‘NON GRATA’ në USA dhe, pak ditë më pas, në muajin maj ai jep dorëheqje nga PD.
-Si e shikoni qasjen e presidentit Trump sa i takon Evropës, Rusisë, Lindjes së Mesme dhe Ukrainës. Çfarë pritet të ndodhë?
Me Evropën që prihet nga MB, Amerika është duke hyrë në konflikt verbal dhe më pas mundet edhe në konflikt ushtarak për shkak të Groenlandës dhe Kanadasë që Trump kërkon ti bëjë, bashkë me USA-n, një shtet të bashkuar kundër City of London. Me Rusinë duket se ka marrëveshje të USA kundër Evropës dhe City of London me kusht që Rusia mos përfshihet me Evropën kundër USA për çështjen e marrjes së Kanadasë dhe Groenlandës. Kurse Ukrainën duan ta ndajnë në mes njëri-tjetrit. / S,M