Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sulmoi qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe projektet e dyshimta infrastrukturore, duke premtuar se pas fitores në 11 maj do të rikthejë paratë te qytetarët dhe do të ndëshkojë korrupsionin. Po ashtu ai do të falë ujin dhe dritat e papaguara.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një takim me banorët dhe anëtarët e degës nr. 2 në Tiranë, ku kritikoi ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe korrupsionin në projekte infrastrukturore. Berisha e nisi fjalën e tij duke akuzuar qeverinë për shpërdorim të parave të taksapaguesve, duke përmendur disa raste të keqpërdorimit të fondeve publike, veçanërisht tenderat e dyshimtë në infrastrukturë. Ai përmendi si shembuj konkrete të keqmenaxhimit të fondeve, ndërtimin e djegësit të kryeqytetit, për të cilin u thotë se janë shpenzuar 130 milionë euro, por që nuk ekziston asnjë impiant konkret. “Të gjitha kanë përfunduar në kontot e Edi Ramës dhe suitës së tij,” deklaroi Berisha. Po ashtu, ai përmendi projektin e Unazës së Tiranës, duke e cilësuar atë si një mega-aferë korruptive, me çdo kilometër që ka kushtuar 17 milionë euro, një shumë që Berisha e konsideroi të pajustifikueshme dhe një tregues i qartë i korrupsionit të skajshëm. Berisha premtoi se, nëse opozita fiton në zgjedhjet e 11 majit, qeverisja e tij do të rikthejë luftën kundër korrupsionit dhe do të ndëshkojë abuzimet me fondet publike. Ai shtoi se paratë e qytetarëve nuk do të shkojnë më për të pasuruar pushtetarët dhe oligarkët, por do të përdoren për të rritur rrogat, pensionet dhe përmirësuar shërbimet publike, duke garantuar se fondet do të shkojnë aty ku u takojnë: te qytetarët. Duke kritikuar Kryeministrin Edi Rama, Berisha tha se pas 12 vitesh në pushtet, ai kërkon një mandat të ri jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të shtuar pasuritë e tij dhe të oligarkëve që e mbështesin. “Pas 12 vitesh në pushtet, ai kërkon një tjetër mandat, jo për të përmirësuar jetën tuaj, por për të shtuar pasuritë e tij dhe të oligarkëve që e mbështesin. Ndaj, 11 maji është dita e shpëtimit për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është dita kur qytetarët do të thonë ‘mjaft më’ dhe do të marrin në duar fatin e vendit,” theksoi ai. Berisha tha se nëse do të vijë në pushtet do të bëjë amisti dhe se do të falen gjobat e dritave dhe ujit. “Këta ndërtojnë pallate dhe nuk paguajnë gjoba, kurse atë që ngre çatinë e tij në fshat e marrin dhe e rrasin në burg, është reale kjo që po them. Kjo merr fund, do falet çdo gjobë që është vendosur për dritat, për ujin, ndërtimet në fshatra në qytet, kamatat. Kamatat e marrin në mënyrë të paligjshme s’ka ligj, se ato janë falur njëherë. Drejtori i OSHEE, ish-drejtori, merr dhe punëson qindra patronazhistë dhe pastaj vërsulet se si e si të marr gjoba, kamata e fatura false nga qytetarët, marrin fund këto, e kam deklaruar, do ketë amnisti për gjobat dhe për biznesin e vogël, jo vetëm për qytetarët”, tha ai. Në fund të fjalës së tij, lideri i opozitës u zotua se qeveria e ardhshme do të gjurmojë dhe rikuperojë pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme, duke i kthyer ato në shërbim të qytetarëve. “Ne do të ndjekim pasuritë e vjedhura, kudo që të jenë, në Shqipëri apo jashtë saj. Ato do të sekuestrohen dhe do të përdoren për politika sociale, për t’u kthyer qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht,” përfundoi Berisha.