Një udhëzues për argumentet e reja kundër emigracionit. Nacionalistët thonë se emigrantët rrisin çmimet e shtëpive, kushtojnë para dhe pengojnë rritjen ekonomike. A kanë të drejtë?
The Economist
Ajo që i bashkon më tepër nacionalistët e botës, është armiqësia ndaj emigracionit. Në vitet 2020, kjo ka qenë shumë e theksuar. Numri i emigrantëve afatgjatë në vendet e pasura u rrit me 28%, nga viti 2019 në 2023.
Kjo e ka ndihmuar Donald Trump-in të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe ka rritur popullaritetin e partive të së djathtës së rreptë, në të gjithë Europën. Emigracioni është pa dyshim çështja politike më e rëndësishme në këtë kohë.
Për më tepër, me rritjen e të ardhurve, kanë ndryshuar edhe argumentet e nacionalistëve kundër emigracionit.
Ata thonë se emigrantët kanë rritur çmimet e banesave, se i kushtojnë para qeverisë në vend që të përmirësojnë financat publike dhe se kanë gërryer kulturën mbi të cilën vendet perëndimore kanë ndërtuar suksesin e tyre afatgjatë ekonomik.
Këto argumente mund t’i quajmë “ekonomia e re e nacionalizmit”.
Ato dëgjohen ngado në lajmet e çdo vendi të pasur.
“Ka një marrëdhënie shumë të qartë midis rritjes në masë të emigracionit dhe rritjes në masë të çmimeve të banesave”, tha zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance.
Në manifestin e fundit të partisë gjermane të së djathtës së rreptë, “Alternativa për Gjermaninë”, shkruhet se politika e emigracionit ka çuar në “një shterim të financave shtetërore… dëmtim të sistemit të mirëqenies sociale dhe tregut të banesave”.
Kufijtë e hapur e bëjnë “të pamundur të kesh një shoqëri të qëndrueshme, sidomos nëse ke një sistem bujar ndihmash sociale”, ka thënë politikania e djathtë daneze Mette Frederiksen.
Stephen Miller, i cili tani është zëvendësshefi i Stafit i Shtëpisë së Bardhë, i tha gjërat troç: “Nëse importoni botën e tretë, do të bëheni bota e tretë”.
Historikisht, partitë kundër emigracionit janë përqendruar në tregun e punës. Ato argumentonin se miliona të huaj që hyjnë në fuqinë punëtore perëndimore çdo vit, ulin mundësitë dhe pagat për vendasit, sidomos ata me të ardhura të ulëta, të cilët janë të detyruar të garojnë me të sapoardhurit e kualifikuar, të motivuar dhe të shfrytëzueshëm.
Ekonomistët pro emigracionit u përgjigjën duke vënë në dukje “mungesën e fuqisë punëtore”. Ata argumentuan se nuk ka një numër fiks vendesh pune që duhet të ndahet midis punëtorëve dhe se emigrantët sjellin rritjen e specializimit në tregun e punës, gjë që mund të rrisë pagat.
Një sërë kërkimesh empirike mbështetën idenë se ulja e pagave të vendasve nga emigrimi ishte ose e vogël ose zero. Njerëzit që dolën më të humbur nga emigrimi ishin brezat e mëparshëm të emigrantëve, pasi ata ishin më të ngjashëm me të ardhurit e rinj.
Sado e gabuar të jetë teza e vjetër nacionaliste, ajo pati ndikim. Por në tregjet e vrullshme të punës në fund të viteve 2010 dhe në fillim të viteve 2020, konteksti ndryshoi: papunësia ishte tepër e ulët për të pretenduar se emigrantët po shkaktonin papunësi. Dhe kështu u shfaq nacionalizmi i ri.
A ka të drejtë?
Argumenti për kulturën është tërheqës për nacionalistët dhe ndonjëherë kalon në racizëm.
Nacionalistët shqetësohen se kur emigrantët zhvendosen nga vendet e origjinës në vendet e pasura, me kalimin e kohës, ata gërryejnë shoqëritë liberale dhe të hapura perëndimore.
Ky argument hap rrugën për pyetje të ngjashme: “Pse disa vende janë të pasura dhe të tjera të varfra?”
Në thelb, argumenti nacionalist kërkon të shpjegojë të njëjtat arsye që shqetësonin ekonomistët Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James Robinson, tre fituesit më të fundit të çmimit “Nobel” për ekonominë.
Treshja vërejti se në fillim të shekullit XVI, ndodhi një “përmbysje e fatit”: ekonomitë më të varfra (duke përfshirë atë që tani është Amerika), u bënë të pasura dhe anasjelltas.
Studiuesit vunë në dukje se kolonizatorët europianë përhapën institucione të reja në të gjithë botën. Në disa vende, si Amerika e Veriut, ata përhapën ide liberale që nxitën zhvillimin.
Në vende të tjera, qeveritë koloniale u shërbyen interesave të veta dhe jo të vendasve.
Mbetjet e mentalitetit kolonial
Ekonomistët argumentojnë se lloji i institucioneve u përcaktua nga emigrimi. Në territoret ku europianët kishin më shumë gjasa të vdisnin nga sëmundjet tropikale, ata sundonin nga larg.
Ndërsa aty ku e patën më të lehtë të vendoseshin, formuan institucione të forta. Të tjerë kanë vënë në dukje edhe rëndësinë e njerëzve të vënë në pushtet.
Edward Glaeser dhe bashkautorët e tij nga Universiteti i Harvardit, argumentojnë se është kapitali njerëzor ai që ka rëndësi për rritjen ekonomike dhe kolonizatorët europianë sollën arsim, njohuri dhe lidhje tregtare.
Nacionalistët e sotëm shqetësohen se tani po ndodh pikërisht e kundërta. Në vitin 2022, Garett Jones nga Universiteti George Mason, nxori në treg një libër me titull “Transplantimi i Kulturës”, ku paraqiste provat për këtë argument.
Ai vuri në dukje se prania e njerëzve me prejardhje nga vende të zhvilluara (zakonisht nga Europa, Azia Lindore dhe bota arabe) mund të shpjegojë dallimet midis shteteve në standardet e jetesës sot.
Pasi paraqiti prova se sjelljet shoqërore të emigrantëve përcillen fuqishëm me kalimin e brezave, zoti Jones arriti në përfundimin se shtetet që marrin shumë emigrantë nga vendet e gabuara do të pësojnë humbje ekonomike.
Prandaj, është në interesin e së gjithë botës që të ruhen dhe të mbrohen kulturat e shtatë shteteve që kanë arritur më shumë risi gjatë historisë së njerëzimit. Këto janë: Amerika, Britania, Kina, Franca, Gjermania, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Mund të gjenden disa të meta në themelet e këtij argumenti. Ai shpërfill vendet më të populluara të botës: Amerika është shumë më e pasur, dhe Kina dhe India janë shumë më të varfra.
Kritikët e zotit Jones kanë thënë se libri i tij është në fakt një argument për hapjen e kufijve të Amerikës, të paktën për disa emigrantë, duke pasur parasysh numrin e vendeve me kultura në dukje eprore.
Kjo përfshin vende që mund të pëlqehen nga të djathtët, por edhe shumë vende që ata nuk i duan, si Algjeria dhe Tunizia.
Në të vërtetë, argumenti për rëndësinë e emigrimit për rezultatet ekonomike afatgjata mbështetet në faktin se Perëndimi, si dhe vende si Hong Kongu dhe Singapori, i detyrohen për një pjesë të suksesit valëve të emigracionit.
Zoti Jones vëren se Argjentina është shembulli i vetëm i një vendi që është bërë më i varfër për shkak të emigrimit. Për rënien e saj në shekullin XX, ai fajëson emigrantët italianë dhe spanjollë që importuan sindikalizëm dhe ide të tjera socialiste.
Megjithatë, sipas matjeve të tij, të dyja këto vende kanë një kulturë më të përqendruar te rritja sesa Argjentina. Prandaj, emigrantë të tillë duhej ta kishin rritur zhvillimin e Argjentinës.
Edhe pse kultura mund të mos jetë një matje e saktë e ndikimit të mundshëm ekonomik të një emigranti, arsimi dhe fuqia fituese janë të tilla, sidomos kur parashikohen kontributet në arkën e shtetit.
Nacionalistët mund të nxjerrin shumë prova për të treguar se emigrantët me të ardhura të ulëta mund të shterojnë nga burimet financiare shtetet me sisteme bujare të ndihmave sociale.
Për shembull, në vitin 2016, Akademitë Kombëtare të Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë të Amerikës, mblodhën një panel të madh ekonomistësh, për të shpalosur provat më të mira mbi emigracionin.
Ata raportuan se ka një lidhje të fortë midis nivelit të aftësive të një emigranti dhe ndikimit të tij fiskal.
Shifrat varen nga disa hamendësime. Studiuesit duhet të vendosin se sa i rrit një emigrant shpenzime të caktuara, për shembull për mbrojtjen.
Ata duhet të parashikojnë se si do të ndryshojnë të ardhurat e një emigranti me kalimin e kohës. Dhe duhet hamendësuar se politikat e sotme të taksave dhe shpenzimeve nuk do të ndryshojnë rrënjësisht gjatë jetës së një emigranti.
Sipas hamendësimeve më të besueshme që janë të disponueshme, ndikimi fiskal 75-vjeçar i një emigranti që nuk ka arsim të mesëm, si dhe pasardhësve të tij, është i barasvlefshëm me 115,000 dollarë taksapaguesish (me çmimet e vitit 2012).
Ndërsa për të njëjtën periudhë, një emigrant me diplomë pasuniversitare do të jepte një kontribut neto prej mbi 400,000 dollarësh në arkën e shtetit. Një arsye për këtë hendek, është sistemi i pensioneve të Amerikës, i cili është bujar për njerëzit me të ardhura të ulëta kur dalin në pension.
Provat
Prova të ngjashme janë grumbulluar në Europë, ku shtetet më bujare janë ato me sisteme të forta të ndihmave sociale për të varfrit.
Vitin e kaluar, Zyra Britanike për Përgjegjësinë e Buxhetit (OBR), zbuloi se një punonjës emigrant me pagë të lartë do të ishte një kontribuues fiskal neto gjatë gjithë jetës, edhe nëse do të kërkonte një pension dhe do të përdorte shërbimin shëndetësor deri në moshën 100 vjeç. Ndërsa një emigrant me pagë të ulët do t’u kushtonte taksapaguesve mbi 28 milionë paund.
Në një studim të fundit nga Jan van de Beek dhe bashkautorët e tij në Shkollën Ekonomike të Amsterdamit, u morën nën shqyrtim të dhënat e Holandës dhe u zbulua se emigrimi është mesatarisht i dobishëm nga ana fiskale, nëse emigrantët kanë të paktën një diplomë bachelor.
Emigrantët nga pjesët e botës me kapital njerëzor më të ulët kanë më shumë gjasa të jenë një pengesë fiskale për vendin. Ministria daneze e Financave llogariti në vitin 2019 se emigrantët nga vendet perëndimore dhanë një kontribut mesatar fiskal prej 52,000 krone për person (atëherë 7,800 dollarë).
Ndërsa ata nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut i kushtonin mesatarisht shtetit 74,000 krone më shumë shpenzime sesa jepnin në taksa.
Prova të tilla vërtetojnë deri diku thënien e Milton Friedman se është e pamundur të bashkohen kufijtë e hapur me një shtet me sistem bujar ndihme. Megjithatë, studimet janë të paplota.
Marrim analizën e OBR-së. Bëhet hamendësimi se një emigrant me aftësi të ulëta do të vazhdojë të ketë të ardhura të ulëta. Në të vërtetë, emigrantët zakonisht e mbyllin hendekun e pagave me vendasit me kalimin e kohës.
Dhe vlerësimet përjashtojnë efektet e dobishme të të pasurit më shumë punëtorë për sektorin publik. Pa emigrimin, shteti do të detyrohej të rriste pagat për të tërhequr punëtorë në sektorë të ndryshëm.
Ndikimi i emigracionit
Ka edhe çështje më të thella. Taksat shtesë nga puna e emigrantëve do të ndikonin pozitivisht, sipas Michael Clemens nga Universiteti George Mason. Në Amerikë, ky efekt do ta kthente ndikimin fiskal të emigrantit me aftësi më të ulëta në një kontribut neto prej 326,000 dollarësh, duke përfshirë pasardhësit e tij.
Dhe importimi i punëtorëve që janë të ndryshëm nga vendasit, rrit larminë e aftësive në fuqinë punëtore, duke i lejuar të gjithë punëtorët të specializohen më shumë dhe të jenë më produktivë.
Kjo do të thotë se emigracioni rrit të ardhurat mesatare të vendasve, dhe për rrjedhojë, edhe taksat që ata paguajnë. Përfitimi fiskal i tërthortë arrin në afërsisht 750 dollarë në vit për një punëtor amerikan me kualifikim të ulët, vlerësojnë Mark Colas nga Universiteti Oregon dhe Dominik Sachs nga Universiteti St Gallen.
Kjo mund të mjaftojë për të ulur ndikimin fiskal të një emigranti me arsim të mesëm, nga negativ në pozitiv. Me fjalë të tjera, më shumë emigrantë ka të ngjarë të jenë kontribuues neto.
Argumenti më i fortë i nacionalistëve është strehimi. Vala e emigrimit pas pandemisë ka përkuar me rritjen e çmimeve të banesave. Në terma realë, ato janë rritur me 16% në të gjithë shtetet anëtare të grupit OECD.
Ashtu si me argumentet e mëparshme për ndikimin e emigrantëve në tregun e punës, rasti varet nga prirja e ofertës dhe kërkesës. Një popullsi në rritje, kërkon më shumë shtëpi.
Megjithatë, ndryshe nga tregjet e punës, tregjet e strehimit shpesh janë të ngurtë dhe të kufizuar nga ligjet e rrepta të planifikimit, të cilët pengojnë që oferta t’i përgjigjet kërkesës. Me importimin e fuqisë punëtore, pa ndërtuar më shumë shtëpi, një copë toke duhet të ndahet midis një popullsie më të madhe.
Hulumtimet e mbështesin këtë vërejtje. Në një analizë nga William Cochrane dhe Jacques Poot nga Universiteti Waikato, u zbulua se një rritje prej 1% e popullsisë emigrante të një qyteti çon në një rritje të qirave me 0.5-1%.
Një studim tjetër nga Umut Unal në Institutin Çek të Kërkimeve për Punën ka zbuluar se një rritje prej 1% e emigrimit në një rrethinë gjermane, çon në një rritje prej 3% të çmimeve të banesave.
James Cabral dhe Walter Steingress, të dy nga Banka e Kanadasë, llogarisin se një rritje prej 1% në popullsinë e një qarku amerikan, rrit qiratë mesatare me 2.2%. Duke qenë se emigrimi ka vetëm një ndikim të vogël pozitiv në paga, rritja e kostove e bën strehimin më pak të përballueshëm për vendasit.
Kërkesa për banesa varet jo vetëm nga numri i njerëzve në një zonë, por edhe nga dendësia e tyre. Shpesh emigrantët e rinj janë të gatshëm të pranojnë kushte më të këqija se vendasit.
Për shembull, statistikat zyrtare tregojnë se shkalla e mbipopullimit mes banorëve që nuk kanë lindur në Britani është pothuajse sa dyfishi i atyre që kanë lindur në vend.
Në Newham, një lagje e Londrës e cila tërheq shumë emigrantë, rreth 40% e njerëzve me prejardhje aziatike, jetojnë në banesa të mbipopulluara, krahasuar me vetëm 16% të popullsisë së bardhë.
Ndarja e shtëpive me tarraca të shumta, rrit të ardhurat e qiradhënësve dhe ul hapësirën e përdorur për banim nga një qiramarrës.
Edhe pse kjo çështje ka nuanca, emigrimi mund të ulë çmimet e banesave vetëm në raste të jashtëzakonshme. Aty ku oferta e banesave iu përgjigjet çmimeve, ndikimi i të ardhurve të rinj është më i vogël.
Efekti në çmimet e banesave varet edhe nga niveli arsimor i emigrantëve. Studimi i Bankës së Kanadasë zbulon se, aty ku oferta është më pak elastike dhe emigrantët janë më të arsimuar, një rritje prej 1% e popullsisë emigrante sjell një rritje prej 6-8% të çmimeve të banesave.
Nëse ndërtimi i shtëpive i përgjigjet kërkesës dhe emigrantët janë më pak të arsimuar, çmimet mund të bien deri në 2%.
Megjithatë, cila është përgjigjja e duhur ndaj këtyre zbulimeve? Shumë vendas do të parapëlqenin të korrigjonin një popullsi të plakur duke nxitur gratë që të kishin më shumë foshnja, në vend që të pranonin më shumë emigrantë.
Megjithatë, kjo ka të ngjarë të rrisë edhe më shumë kërkesën për banesa. Marc Francke nga Universiteti i Amsterdamit dhe Matthijs Korevaar nga Shkolla Ekonomike Erasmus zbuluan se një rritje me 1 pikë përqindje në shkallën e lindjeve në Amsterdam zakonisht rrit çmimet e shtëpive në qytet me 3-5% gjatë 25 viteve në vijim.
Rritja e kërkesës për shtëpitë në Amerikë lidhet më tepër me dëshirën e të rinjve sesa me emigrimin (normat e ulëta të interesit i mundësuan atyre të përballonin strehimin), tregon Riordan Frost nga Qendra e Përbashkët e Harvardit për Studimet e Strehimit.
Një shtëpi e ndarë
Ndikimi i përgjithshëm i emigrantëve në çmimet e pronave është ende i vogël. Përqindja e popullsisë së shteteve të OECD-së që ka lindur jashtë, nga 9% në vitin 2013, në 11% në vitin 2023.
Sipas një përllogaritjeje të përafërt, një rritje e tillë duhej të kishte ngritur çmimet e shtëpive me rreth 4%. Në të vërtetë, çmimet e banesave janë rritur me 39%, duke treguar se ka faktorë të tjerë që luajnë një rol shumë më të madh.
Morteza Moalemi, nga Universiteti RMIT, dhe Daniel Melser, nga Universiteti Monash, kanë zbuluar se nëse nuk do të kishte pasur emigrim në Australi midis viteve 2011 dhe 2016, çmimet e banesave do të ishin vetëm 1% më të ulëta çdo vit.
Problemi më i madh i politikave publike për sa i përket strehimit është mungesa e ndërtimit të shtëpive dhe jo rritja e emigrimit.
Nacionalistët kanë fajësuar të huajt për shumë probleme ekonomike.
Por argumentet e tyre të reja janë padyshim më të forta se ato të mëparshme, që do të thotë se qeveritë duhet t’iu përgjigjen kritikave më bindëse mbi strehimin dhe financat publike.
Në fund të fundit, shoqëritë e hapura dhe tregjet e lira janë një garanci shumë më e mirë për begati afatgjatë, sesa nacionalizmi ekonomik./k.k