Deputetja socialiste Milva Ekonomi në studion e “Off the Record”, u vendos përballë faktit se qytetarët në Shqipëri kanë konsumuar një ngarkesë mishi të pulës me salmonelë, e ardhur nga Brazili.
Duke qenë se mishi i infektuar i shpëtoi filtrave të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe u hodh në treg, moderatori Andrea Danglli e pyeti ish-ministren e Bujqësisë se çfarë po ndodh me sigurinë ushqimore në vend.
“Unë besoj që këto raste nuk janë raste që ti nuk i shikon edhe në vende të tjera. Janë raste që i shikon në Shqipëri edhe në vende të tjera”, u përgjigj Ekonomi, por duke theksuar se “e rëndësishme është që si do të reagojë mbikëqyrja e tregut” në të tilla raste.
Sipas ish-ministres, autoritetet vendase duhet të përforcojnë sistemin e mbikëqyrjes së ushqimeve dhe kjo procedurë do të lehtësohet më tepër me asistencën e Bashkimit Europian.
“Në Shqipëri kjo është një nga gjërat që besoj se duhet ta forcojmë më shumë. Dhe në Bashkimin Europian, në kapitullin e 13-të është siguria ushqimore, janë rregulla që na ndihmojnë më shumë që këtë siguri ushqimore, ta forcojmë. Dhe atë sistemin tonë të mbikëqyrjes, nëse 13 vjet më përpara bëheshim vetëm 19 teste sigurie, sot bëhen 1909 teste sigurie. Domethënë vëmendja për të forcuar sigurinë ushqimore është në rritje dhe laboratorët e sigurisë ushqimore janë përmirësuar. Por ama duhet të forcojmë shumë mbikëqyrjen”, deklaroi Ekonomi në “Off the Record” .
Më tej ajo shtoi se përgjegjësit në të tilla raste duhet të përgjigjen para ligjit.
“Unë tani në këtë moment nuk mendoj se nuk ka më përgjegjës, pasi ky sistem suervliance që po rritet dhe po kërkohet, sepse po e kërkon populli vet, sistemi i penalizimit kur ti shkel një rregull është forcuar. Unë besoj që tani janë të gjithë elementët që edhe ata që kryejnë një dëm të vogël të vihen para përgjegjësisë. Qoftë kjo përgjegjësi ekonomike, administrative, apo penale”, tha Ekonomi në “Off the Record”./e.t