Nga Leonard Veizi
Amerikanët u ngritën në protesta. Dhe ne e dimë mirë kush janë ata: një popull që nuk duron asgjë që cenon apo shtyp liritë e tij. Një komb që, kur i shtypet demokracia, nuk hesht. Me sa duket, u ka vajtur thika në palcë – përndryshe nuk do të kishim parë sheshet dhe parqet e Uashingtonit dhe Nju Jorkut të mbushura me mijëra protestues të zemëruar, por të vendosur. Në pamje të parë kjo protestë mund të duket e shpërndarë, por në lexim të dytë është një thirrje për bashkim dhe vetëdije. Një britmë qytetare ndaj rrezikut të ri që kërcënon themelet e demokracisë më të vjetër perëndimore.
Na është thënë shpesh se amerikanët janë popull që jeton për veten, që pjesën tjetër të botës e sheh si spektator të privilegjuar të superfuqisë së tyre. Por jo këtë herë. Në këtë çast të trazuar, kur silueta e një tjetër konflikti botëror valëvitet në horizont, janë pikërisht ata që po na japin një leksion të ri. Leksioni i radhës nuk vjen nga Hollivudi, as nga teknologjia apo rrjete sociale, por nga protestat qytetare që kërkojnë t’i thonë “jo” autoritarizmit të veshur me kostumin e demokracisë.
Pas kthimit të tij të bujshëm në politikë, Donald Tramp, me urdhra ekzekutivë dhe retorikë polarizuese, ka rindezur frikën për një përmbysje të rendit kushtetues. Ai sillet me Shtëpinë e Bardhë si me pronën e vet në Mar-a-Lago, duke marrë vendime që nuk prekin vetëm 350 milionë amerikanë, por edhe 510 milionë evropianë – dhe përtej. Nga Brukseli në Tokio, bota ndjen se po qëndron në një karrige që lëkundet gjithnjë e më fort.
Shumë amerikanë, që për vite kanë qëndruar në heshtje, tani po reagojnë me forcë. Në Uashington, qytetarët mbajnë pankarta me mbishkrime si “Larg duart nga demokracia” apo “Ndal grushtin e shtetit!”, ndërsa kërkojnë mbrojtjen e Kushtetutës dhe të institucioneve të pavarura.
Qëndrimet e tij për NATO-n, indiferenca ndaj Ukrainës, flirti me autokratë, sulmet ndaj gjyqësorit dhe shtypit, rrezikojnë themelet e një bote të stabilizuar mbi barazi dhe institucione. Dhe bota ka nisur të ndiejë lëkundjet.
Në këtë sfond të zymtë, është pikërisht populli amerikan që po reagon. Jo thjesht ndaj një figure politike, por ndaj një rreziku që tejkalon partitë: autoritarizmit të veshur me kostumin e demokracisë.
Protestat janë të shumta dhe të shumëllojshme: nga New York-u në San Francisko, nga Chicago në rrugicat e vogla të Arkansas-it. Protesta për të drejtat e grave, për të drejtat e votës, për drejtësinë racore, për ndryshimet klimatike, për të drejtën për të abortuar, për paqen dhe lirinë e medias. Dhe gjithnjë më shpesh – protesta për të paralajmëruar se përpara një përshkallëzimi global, bota ka nevojë për më shumë ndjeshmëri dhe më pak arrogancë në lidershipin ndërkombëtar.
Sepse një luftë e madhe – qofshin fjalët, teknologjitë apo trupat pjesë e saj – nuk përballohet me shoqëri të lodhura, të përçara e të varfra shpirtërisht. Një popull që ka humbur besimin te vetvetja nuk mund të jetë pjesë e një përpjekjeje globale për paqen. Dhe një qeveri që ndalet vetëm tek interesat e ngushta të klaneve të saj, nuk mund të udhëheqë botën në kohë krize.
Këtu qëndron leksioni i vërtetë nga Amerika e sotme: kur qytetari i zakonshëm vendos të mos heshtë më, atëherë rilind edhe shpresa. Kur shoqëria merr pjesë aktive në protestë, nuk është fundi i rendit – por fillimi i një morali të ri politik. Është një mënyrë për të kujtuar se politika nuk është pronë private, dhe se vendimet që ndikojnë fatin e botës nuk mund të merren si në një tavolinë pokeri.
A nuk jemi edhe ne në këtë anë të botës përballë të njëjtit rrezik? A nuk kemi ndjerë efektin e vendimeve që merren larg nesh, por që ndikojnë drejtpërdrejt mbi jetën tonë të përditshme, mbi ekonominë, mbi paqen, mbi drejtësinë? A nuk jemi lodhur nga një klasë politike që më shumë dëgjon zhurmat e jashtme se sa zërin e qytetarëve të vet?
Kjo është koha për të parë me vëmendje Amerikën e protestës dhe vetë protestën si një mjet civilizues. Në britmën e një qytetari amerikan fshihet një thirrje universale: nuk je i vogël për të reaguar. Nuk je i parëndësishëm për të kundërshtuar.
Kjo është koha për të parë drejt Amerikanët na kujtojnë se demokracia nuk është diçka që trashëgohet – ajo duhet rifituar çdo ditë.
Është një betejë e përhershme. Dhe fiton kuptim vetëm atëherë kur qytetari vendos të mos heshtë më edhe thotë: “Mjaft!”