Nga sherebela, te boronica bashkë me finokun, dafinën e kamomilin… vendosja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta prekin Shqipërinë më së shumti në drejtim të eksporteve të bimëve armoatiko-mjekësore.
Një e treta e gjetheve e thara të bimëve të egra nga mali i Buretos në Gjirokastër apo kokrrat e mbledhura nga livadhet e veriut të vendit shkojnë përtej Atlantikut, ndjekur nga Gjermania, Spanja dhe Turqia.
“Padyshim që ky nuk është një lajm i mirë për ne në kohën kur kjo industri zë mbi 14% të të gjithe ekporteve qe kryhen ne BE dhe Amerike. Nga zero që është aktualisht, çdo ngarkesë drejt ShBA do të ketë një tarifë doganore prej 10%, që rrjedhimisht krijon një tjetër vështirësi për industrinë tonë”, tha Filip Gjoka.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se vlera e eksporteve të bimëve aromatiko-mjekësore vitin e shkuar kapi vlerën e 5.1 miliardë lekëve. Në raport me totalin, kjo kategori përbën 1.4 për qind të eksporteve të vitit të shkuar.
“Konkretisht vendosja e tarifës 10 % për Eksportet Shqiptare përkthehet në rritje të kostos së eksportit. Rritje të çmimit të produkteve Shqiptare në tregun Amerikan duke i bërë ato më pak konkurruese. Kjo mund të çojë në ulje të kërkesës për produktet Shqiptare dhe reduktim i vëllimit të eksporteve duke goditur direkt mijëra fermerë dhe biznese të vogla në zonat rurale duke ulur fitimet e tyre”, shton Gjoka.
Në këto kushte, përfaqësues të kësaj industrie kërkojnë rimbursim në masën 10 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
“I bëjmë thirrje qeverisë, por edhe Partisë Demokratike në opozitë të ushtrojë presion. Ndryshe industria jonë do të marrë një goditje të parikuperueshme”, deklaroi Gjoka.
Eksportuesit shqiptarë çuan gjatë vitit të shkuar drejt Shteteve të Bashkuara mallra me vlerë mbi 7 miliardë lekë duke bërë që shtetet përtej Atlantikut të renditeshin në vendin e 13 në drejtim të eksporteve. Aplikimi i tarifave prej 5 prillit pritet të ndikojë në këtë ecuri./e.t