Tarifat e vendosura nga Donald Trump kanë shkaktuar shqetësime në Greqi, veçanërisht për sektorin e bujqësisë. Edhe pse ndikimi i këtyre tarifave në ekonominë greke pritet të jetë i vogël në afat të shkurtër, ekspertët parashikojnë një ulje prej 0.5% të PBB-së, që do të përkthehej në rreth 1.1 miliardë euro humbje.
Presidenti i Shoqatës Panhelenike të Eksportuesve, Alkiviadis Kalampokis, paralajmëroi se tarifa prej 20% e vendosur nga SHBA ndaj vendeve të BE-së do të ndikohet negativisht eksportet bujqësore greke, të cilat përbëjnë 32% të totalit të eksporteve. Produktet më të prekura janë ullinjtë, me një vlerë eksporti prej 214 milionë euro, pasi SHBA është tregu kryesor për ullinjtë grekë. Produktet e tjera të prekura janë mjalti, pjeshka, vera dhe produktet e qumështit.
Greqia do të përballet jo vetëm me ndikimin e drejtpërdrejtë të tarifave, por edhe me efektet indirekte që do të sjellin ato për vendet e tjera të BE-së. Kryeministri Mitsotakis ka theksuar në një mbledhje urgjente të qeverisë se Greqia është e gatshme të përballet me këto sfida dhe ka kërkuar një reagim të unifikuar të BE-së. Ai ka kritikuar tarifat për produkte si vaji, ullinjtë dhe djathi feta, duke thënë se nuk ka logjikë në vendosjen e tyre, pasi këto produkte nuk prodhohen në SHBA.
Në një tjetër zhvillim, bursa e Athinës ka pësuar rënie për të tretën ditë radhazi, me humbje totale prej më shumë se 7 miliardë euro, ndërsa Indeksi i Përgjithshëm ndodhet nën mesataren e tij lëvizëse 200-ditore. Kryeministri ka theksuar nevojën që ekonomia greke të diversifikojë tregjet e saj dhe të ruajë stabilitetin fiskal në këtë periudhë të pasigurtë./k.k