Arsenal-Real Madrid është një tjetër çerekfinale e Ligës së Kampioneve që premton spektakël në letër dhe në fushë.
“Topçinjtë” kanë arritur në këtë fazë të konkurrencës vetëm dy herë në 15 vitet e fundit dhe tani do të përballen me rekordmenët dhe kampionët në fuqi, Real Madrid, të cilët e kanë fituar trofeun 15 herë në historinë e tyre. Arsenali, si shumë skuadra të tjera, ka pësuar dëmtime të lojtarëve kyç këtë sezon dhe Mikel Arteta duhet të përzgjedhë një ekip pa qendërmbrojtësin Gabriel Magalahes, i cili është jashtë, së bashku me mbrojtësin Ricardo Calafiori, i cili është dëmtuar në gju dhe Kai Havertz, të cilit i ka përfunduar sezoni për shkak të një dëmtimi muskulor. “Ka gjëra që nuk mund t’i kontrollojmë”, tha Arteta në konferencën për shtyp përpara duelit me skuadrën e Karlo Ançelotit.
“Si për shembull, si do të përgatitet Reali, çfarë mund të bëjnë ata. Ne duhet të fokusohemi dhe energjia jonë, te forcat tona, dobësitë dhe drejtimin që duam të luajmë në lojë. Sigurisht, qëllimi i skuadrës është shumë i qartë, ne duam të arrijmë diçka kundër tyre në shtëpi dhe do të shkojmë për këtë”, shtoi spanjolli.
Trajneri i Arsenalit bëri pesë ndryshime në barazimin 1-1 me Evertonin në fundjavë dhe pushoi disa lojtarë kyç si Martin Odegaard, Gabriel Martineli, Tomas Partey, Jurrien Timber dhe Bukayo Saka.
“Në orën 21:00, mbrëmjen e së martës, do të jenë 11 lojtarë dhe 60,000 njerëz. Jam shumë i bindur që jemi gati për të fituar dhe për t’i mposhtur ata”, tha ai.
“Ky është mentaliteti që dua. Duhet të jemi ekipi që kemi qenë në tre mujorin e fundit të sezonit, me të gjitha ngritjet dhe rëniet dhe gjërat që kemi pasur për të përballuar. Duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë, sepse kjo është forca jonë më e madhe. Reali është padyshim një nga ndeshjet më të mëdha të karrierës sime. Është një kënaqësi që ta përgatitësh këtë ndeshje, të shohësh reagimin e njerëzve dhe sesi ne ndihemi që vijmë në një ndeshje të këtij kalibri”./ D.C