Elon Musk publikoi një video në platformën “X”, ku tregon se sa afër gjeografikisht ndodhen Rusia dhe Shtetet e Bashkuara.
“Jo të gjithë amerikanët e dinë se SHBA dhe Rusia janë aktualisht shumë pranë njëra-tjetrës: ndahen vetëm nga dy milje (rreth 3.2 kilometra) dhe janë gjithashtu të lidhura”, thuhet në postim.
Dy vendet ndahen nga ngushtica e Beringut, dhe nëse shikojmë nga afër, mund të dallojmë dy ishujt e vegjël Diomede — Ishulli i Vogël Diomede që i përket SHBA-së dhe Ishulli i Madh Diomede që i përket Rusisë. Ata janë vetëm 2.4 milje (rreth 3.8 kilometra) larg nga njëri-tjetri dhe përfaqësojnë pikën më të afërt mes dy superfuqive.
Postimi i plotë:
Ishulli i vogël Diomede i përket SHBA-së dhe aty ndodhet një nga qytetet më të izoluara, i quajtur po ashtu Diomede, me një popullsi prej vetëm 82 banorësh. Ndërkohë, ishulli i madh Diomede, që ndodhet shumë pranë, i përket Rusisë dhe është i pabanuar, me praninë e vetme të një personeli ushtarak.
Diomede (SHBA) është qyteti amerikan më i afërt me Rusinë, nga e cila e ndajnë vetëm dy milje në dimër, kur deti ngrin, duke e bërë të mundur kalimin nga njëri vend në tjetrin përmes tokës së akullt. Prandaj thuhet shpesh se është e mundur të kalosh kufirin nga toka.
Një fakt interesant është se midis dy ishujve kalon vija ndërkombëtare e datës, me një diferencë kohore prej 21 orësh. Kjo do të thotë se, nëse kalon kufirin nga ana amerikane në atë ruse, je “në të kaluarën”, ndërsa në drejtimin e kundërt, je në të ardhmen, duke u cilësuar në mënyrë simbolike si një udhëtar në kohë./ S.M