Gjykata e apelit të posaçëm ka zbardhur vendimin që konfirmoi masën e arrestit në burg për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Gjyqtari Engert Pëllumbi ka arsyetuar se, fakti që Erion Veliaj është kryetar në detyrë I bashkisë më të madhe në vend siç është ajo e Tiranës, ka pushtetin për të ndikuar tek vartësit e tij që mund të japin sqarime në prokurori, por edhe personave të tjerë duke deformuar përmbajtjen e dokumenteve të tjera që mund ti shërbejnë prokurorisë si prove.
“Në funksionin publik që ushtron shtetasi Erion Veliaj, njohjet e shumta lidhjet e siguruara dhe ndikimi mjaft i fortë që buron nga ushtrim i këtij funksioni rëndësia e të cilit shtohet në mënyrë eksponenciale, nisur nga territori që mbulon dhe fondet që ka bashkia e Tiranës.”
Gjithashtu në vendimin e zbardhur thuhet se, fakti që Erion Veliaj ka dërguar mesazhe me natyrë të fortë intimiduese në drejtim të agjentëve të byrosë kombëtare të hetimit të cilëve iu kërkon hapur të ndalojnë thirrjen e bashkëshortes së tij Ajola Xoxa për të dhënë deklarime në prokurori.
“Erion Veliaj dërgon mesazhe me natyra të forta intimiduese në drejtim të hetuesve të BKH, të cilëve iu kërkon hapur që të ndalojnë me thirrjen e bashkëshortes së tij për të dhënë deklarime”, thuhet në reagimin e Apelit të Posaçëm.
Gjithashtu sipas gjykatës është e provuar se, shumica e personave që kanë dhënë deklarime në prokurori mbi hetimet që janë ndjekur ndaj Veliajt dhe personave të tjerë, janë kontaktuar para dhe pas marrjes në pyetje e kryesisht nga Ajola Xoxa. Në të njëjtën kohë sipas gjykatës ekziston edhe rreziku I ikjes dhe për këtë masa më e përshtatshme është ajo e arrestit në burg. Gjyqtari i apelit Engert Pëllumbi ka theksuar se mundësitë financiare të të hetuarit vlerësohen në harmoni me lëvizjet e tij të shumta, konfirmuar edhe nga sistemi TIMS, dhe për shkak të veprave për të cilat ai po hetohet, gjykata del në përfundimin se ky rrezik është eminent dhe në nivele të larta. Gjyqtari Pëllumbi ka renditur si arsyetim edhe faktin se zyrtarë apo ish-zyrtarë të tjerë të akuzuar për vepra penale të ngjashme apo të tjera janë proceduar e hetuar me masë sigurie arresti në burg, duke përmendur Lefter Kokën, Fatos Tushen apo Vangjush Dakon.
“Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me një frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm, se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht procesin penal. Kjo duke marrë parasysh edhe dënimin që parashikohet që mund të dënohet me 5, 12 apo me 15 vite burg”
Pas zbardhjes së vendimit, avokatët e Veliajt do i drejtohen me rekurs gjykatës së lartë për heqjen e masës së arrestit./k.k