Një tjetër gur kilometrik për transportin hekurudhor dhe një hap më afër drejt Evropës, kështu e ka konsideruar zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, marrëveshjen e firmosur me drejtorin e Bankës Europiane për Investime, Lionel Rapaille nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës – Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII.
“Sot gjatë vizitës në Shqipëri të zv/presidentes së Komisionit Europian, Kaja Kallas dhe në prani të kryeministrit Edi Rama, nënshkruam së bashku me Bankën Europian për Investim, marrëveshjen për hapjen e parë të hekurudhës së Korridorit 8. Një marrëveshje që i jep një tjetër gur kilometrik Shqipërisë në zhvillimin e transportit hekurudhor Durrës Rrogozhinë, duke nisur kështu një rrugëtim që do të bashkohet dhe do të ndërlidhet edhe me hapat e tjerë që kemi hedhur për Korridorin e 8, sic është autostrada apo edhe autostrada energjitike që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.
Të gjithë këto komponentë po plotësojnë një puzzle të madh të transportit hekurudhor, një nga transportet më të rëndësishme për BE, duke qenë se i ofron eficencë financiare cdo qytetari dhe nga ana tjetër është miqësor me ambjentin.
Tashmë jemi në hapat e fundit të ndërtimit të hekurudhës Tiranë – Durrës, e cila si ndërtim dorëzohet brenda vitit 2025, duke i lënë vitit 2026 edhe plotësimin e komponentëve të tjerë. Atë të elektrifikimit të kësaj hekurudhe, por edhe krijimin e stokut të vagonëve dhe lokomotivave që do të operojnë.
Nga ana tjetër gjatë vitit 2025 ne nisim ndërtimin e hekurudhës Vorë Han I Hotit, një nga segmentet më të rëndësishme ndërlidhëse të rajonit. Parashikohet që këto punime të përfundojnë në 2029. Në ditët në vijim do të kemi edhe një prezantim të projektit kombëtar, me interes shumë të madh për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës. Bëhet fjalë për hekurudhën e Kombit e cila do të prezantohet në Shkodër, aty ku do të jetë edhe stacioni nga Shkodra për në Gjakovë. Gjithashtu duhet patur parasysh që brenda këtij viti do kemi mundësi që të kemi një projekt të plotë për marrëveshjen e firmosur sot, Durrës-Rrogozhinë e cila parashikohet të dorëzohet si vepër në 2028 duke u pasuar edhe nga segmenti Rrogozhinë-Pogradec, që do të dorëzohet në 2029.
Të gjitha këto risi, të gjitha këto projekte strategjike, kombëtare dhe rajonale e përafrojnë Shqipërinë akoma më shumë drejt ëndrës së saj të BE.” – u shpreh Balluku./ S,M