Ministria e Brendshme dhe Kompania Shtetërore IdentiTek ShA e prodhimit të dokumenteve biometrike njoftojnë disa risi të rëndësishme, që sjellin përfitime për qytetarët, duke synuar modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve.
Kështu, qytetarët nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë për të blerë kuponë në Postë për pasaportë, apo letërnjoftime elektronike. Të gjitha pagesat mund të kryhen online, duke e bërë procesin më të shpejtë dhe më të lehtë.
Një tjetër risi, është se IdentiTek ofron mundësinë e prodhimit të ID kartave apo Letërnjoftimeve Elektronike në një kohë shumë më të shpejtë, përmes një pagese shtesë.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Administratorja e IdentiTek, Freskida Halilaj panë nga afër procesin në një zyrë aplikimi.
“Ministria e Brendshme dhe IdentiTek sot lançon dy procese shumë të rëndësishme, të cilët do t’i vijnë në ndihmë qytetarëve për lehtësimin e të gjitha procedurave përsa i përket aplikimit online për marrjen e një kuponi dhe vazhdimin e procedurave për prodhimin e kartave të identitetit (ID). Së pari, qytetarët shqiptarë do të kenë mundësi që nëpërmjet platformës në identiTek të aplikojnë për kuponin elektronik dhe më pas të vijojnë me prodhimin e kartave të identitetit. Së dyti, ky është një proces, që i cili vjen në ndihmë të gjithëve qytetarëve duke lehtësuar edhe një herë veprimet e tyre për marrjen e kartës. Sot, ne mund të prodhojmë kartat e Identitetit nëpërmjet një afati kohor nga një deri në tri ditë. Kjo do të bëjë edhe një herë shkurtimin maksimal të të gjitha afateve të pritjes për prodhimin e kartës së identitetit. Ne kemi edhe një element tjetër shumë të rëndësishëm, sa i përket rritjes së sigurisë së elementëve të pasaportës”, tha ministri.
“Sot ne kemi lancuar kuponin elektronik, i cili e bën eksperiencën e qytetarit shumë më të thjeshtë duke qenë se aktualisht nuk do duhet më të paraqiten fizikisht pranë Postës apo përfaqësive diplomatike, por mund të drejtohen direkt tek faqja jonë e internetit dhe me dy-tri hapa shumë të thjeshtë, ata mund të pajisen me kuponin elektronik dhe më pas të procedojnë me aplikimin për dokumentet biometrike”, shpjegoi Administratorja e IdentiTek.
Ndryshimet u përgjigjen kërkesave të shumta nga qytetarë shqiptarë, që jetojnë e punojnë jashtë, e nuk kanë mundësi të presin dy javë për të rinovuar ID kartën./ S.M