Me luftën e tij tregtare, sulmet ndaj aleatëve të vjetër të SHBA-së dhe shkatërrimin e institucioneve amerikane, Trump ka nisur tashmë një epokë të re, shumë më të errët të historisë botërore…
Kanë kaluar vetëm 2 muaj e gjysmë që kur Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë. E megjithatë bota ka ndryshuar rrënjësisht. Trump po shkatërron me shpejtësi marrëdhëniet tregtare të SHBA-së dhe sistemin global të tregtisë së lirë që ndërtoi vetë Uashingtoni pas vitit 1945.
Përpjekja e tij për ta “çliruar” ekonominë amerikane me tarifa të përshkallëzuara, përfaqëson një ndryshim thelbësor nga taktikat më modeste të luftës tregtare të përdorura gjatë mandatit të tij të parë. Sipas Laboratorit Buxhetor të Universitetit Yale, norma mesatare e tarifave në SHBA është tani në nivelin më të lartë që nga viti 1909.
Ndërkohë Trump po hedh dyshime mbi aleancat e vjetra të Amerikës, përshirë këtu edhe NATO-n, dhe garancitë e sigurisë që përfaqëson kjo e fundit. Në fund të muajit shkurt, ai poshtëroi publikisht Volodymyr Zelenskyn në Zyrën Ovale, dhe më pas i tregoi derën presidentit ukrainas.
Që nga ajo kohë, është ndërprerë mbështetja e SHBA-së për Ukrainën, duke e vendosur presidentin rus Vladimir Putin në pozicionin më të fortë që ka pasur ndër vite. Trump s’ka bërë asnjë përpjekje për ta fshehur faktin se simpatizon Rusinë, agresorin, dhe jo Ukrainën, demokracinë rezistente që po lufton për lirinë dhe sovranitetin e saj.
Po ashtu, Trump ka deklaruar se SHBA duhet të marrë kontrollin e Gazës, të dëbojë popullsinë palestineze atje tek shtetet e tjera arabe, dhe ta shndërrojë enklavën në një vendpushim turistik. Dhe ai vazhdon të flasë për aneksimin e Kanadasë, Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë.
Me sa duket, nuk mjafton që SHBA ndikon në pjesën më të madhe të Hemisferës Perëndimore; Trump dëshiron që ta zotërojë atë plotësisht. Ndërsa të gjithë prisnin trazira, pak prisnin një imperializëm të tillë të pacipë.
Ekspertët dhe analistët, e kanë interpretuar prej kohësh moton “Amerika e Para”, si një ringjallje të lëvizjes izolacioniste që ishte aktive para Luftës së Dytë Botërore. Por duket se Trump ka diçka tjetër në mendje. Ai dëshiron një botë, ku vetëm një pjesë e vogël e superfuqive globale konkurrojnë – edhe dhunshëm nëse është e nevojshme – për burime, lëndë të para dhe sfera ndikimi.
Brenda SHBA-së, ai ka lejuar njeriun më të pasur në botë, Elon Musk – liderin pararojë të një lëvizjeje tekno-fashiste me qendër në Silicon Valley – të shkatërrojë shtetin amerikan nën maskën e uljes së kostove, eliminimit të mbeturinave dhe mashtrimit dhe pakësimit të rregulloreve.
Pushimet masive nga puna dhe shkatërrimi i agjencive të tëra, do sjellin pasoja negative të vazhdueshme. Vetëm shpërbërja e USAID-it mund të shkaktojë qindra mijëra të vdekur në Afrikë dhe rajone të tjera të cenueshme të botës. Përballë një shkatërrimi të tillë mizor, të pakujdesshëm, duhet ngritur pyetja thelbësore: Çfarë sjell për SHBA-në kjo fushatë?
A do ta bëjë atë më të fortë? Nëse i vlerësojmë vendimet e administratës në mënyrë rigoroze në kuadër të interesave të Amerikës – ruajtja e fuqisë dhe e ndikimit të saj global – përgjigja e vetme e mundshme është jo. Politikat e Trump, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, duken se janë gjithnjë e më shumë të orientuara drejt dobësimit të Amerikës, apo edhe drejt vetë-shkatërrimit të saj.
Tek e fundit, SHBA nuk përfiton asgjë nga armiqësia ndaj Evropës. Duke larguar aleatët e saj, ajo po shkatërron një nga shtyllat kryesore të statusit të saj si një superfuqi. Për dekada me radhë, “Perëndimi” – një kornizë gjeopolitike e pakrahasueshme e aleancave ushtarake dhe marrëdhënieve tregtare – shërbeu si një shumëfishues për fuqinë dhe ndikimin global të SHBA-së.
Kjo është arsyeja pse Amerika e fitoi me lehtësi Luftën e Ftohtë, dhe u bë më e fortë se çdo fuqi tjetër në histori. Dhe kush përfiton nga flakja tej e gjithë kësaj trashëgimie? Vetëm Rusia dhe Kina, të cilat po vëzhgojnë në heshtje veprimet e Trump dhe presin teksa Amerika kryen vetëvrasje.
Tashmë mund të themi me siguri, se nuk do të ketë më rikthim në rendin e mëparshëm ndërkombëtar. Trump e ka shkatërruar besimin tek SHBA-ja për të paktën një brez. Premtimet e Uashingtonit nuk janë më të besueshme. Institucionet e vendit, përfshirë mediat kryesore, universitetet dhe firmat ligjore, po shkatërrohen para syve tanë.
Shtetet e Bashkuara do të kenë ende një pozicion gjeografik unik midis Atlantikut dhe Paqësorit, por pjesa tjetër e botës do ta dijë se Trumpizmi, është bërë një tipar i qëndrueshëm i politikës së saj. Zhdukja e “Perëndimit” dhe rënia e lidershipit (dhe e demokracisë) amerikane, do ta ndryshojnë shumë politikën botërore në shekullin XXI.
Rendi do t’i lërë vendin kaosit, dhe do të rritet rreziku i luftës teksa superfuqitë rivale do të kërkojnë pozita më të mira. Vetë shoqëria amerikane do të mbetet e polarizuar, e gërryer nga brenda nga irracionalizmi dhe e prirur ndaj teorive konspirative.
Në romanin e tij të vitit 1935 “Nuk mund të ndodhë këtu”, Sinclair Lewis imagjinon ngjitjen në pushtet të një diktatori në SHBA-së, për të demaskuar regjimet fashiste dhe naziste në Evropë. Tani, 90 vjet më vonë, distopia e tij po materializohet.
Ashtu si Gëte pas Betejës së Valmit në vitin 1792, kur ushtria prusiane u tërhoq para forcave revolucionare franceze, ne jemi dëshmitarë të fillimit të një epoke të re në historinë botërore. Nga ky moment e tutje, vuajtjet, vështirësitë dhe padrejtësitë vetëm sa do të shtohen./ Përshtati “Fjala.al” Nga “Project Syndicate”.