Në Shqipëri, ndekja e një programi master në universitetet publike vjen me kosto të ndryshme, në varësi të fakultetit, programit të studimit dhe ngarkesës me kredi. Një analizë e “Scan Intel” përmbledh tarifat zyrtare për çdo universitet, duke përfshirë vetëm pagesën për shkollimin, pa llogaritur shpenzime të tjera shtesë, siç janë librat.
Duket se “Fakulteti i Gjuhëve të Huaja” ofron ndër tarifat më të përballueshme. Për Masterin Shkencor, studentët paguajnë 150,000 lekë për dy vite, ndërsa për Masterin Profesional, 90,000 lekë. Të njëjtat tarifa zbatohen edhe në “Fakultetin e Drejtësisë”.
Në “Fakultetin e Ekonomisë”, ku konkurenca dhe kërkesa janë më të larta, kostot rriten. Masteri Shkencor arrin në 210,000 lekë për dy vite, ndërsa Masteri Profesional kushton më shumë, në varësi të numrit të krediteve.
“Fakulteti i Shkencave Sociale”, ndër më të preferuarit nga studentët, ofron tarifa më të ulëta: 150,000 lekë për Masterin Shkencor dhe 99,000 lekë për Masterin Profesional.
Ndërkohë, “Fakulteti i Shkencave të Natyrës” rezulton ndër më të shtrenjtët. Për Masterin Shkencor, tarifa është 168,000 lekë, ndërsa për Masterin Profesional – 99,000 lekë. Ky fakultet njihet për programet më kërkuese në aspektin akademik.
Në “Universitetin Politeknik të Tiranë”, tarifat për Masterin Shkencor variojnë sipas krediteve: nga 132,000 lekë deri në 180,000 lekë për dy vite studimi.
Ndër më të kushtueshmit qëndron “Fakulteti i Mjekësisë”. Tarifa për Masterin Shkencor është 210,000 lekë, ndërsa për Masterin Profesional – 108,000 lekë.
Në përgjithësi, tarifat për programet e masterit në universitetet publike të Shqipërisë variojnë, duke filluar nga 90,000 lekë për programet profesionale në fakultetet më të përballueshme, deri në 210,000 lekë për programet shkencore të avancuara në fakultetet më të shtrenjta. Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë kanë tarifat më të larta për Masterin Shkencor, me 210,000 lekë për dy vjet./ S,M