Presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar përpjekjet e shumta të vendeve të huaja, përfshirë Kinën, për të negociuar me Shtetet e Bashkuara pas vendosjes së tarifave të reja.
Kjo situatë vjen në një moment të tensioneve, pasi Shtëpia e Bardhë ka njoftuar vendosjen e një tarife totale prej 104% ndaj importeve nga Kina dhe 20% ndaj Bashkimit Evropian, duke përshkallëzuar luftën tregtare që ka përfshirë ekonomitë më të mëdha të botës.
Tregjet aziatike reaguan menjëherë me rënie, ndërsa diplomatët evropianë dhe kinezë janë duke kërkuar mënyra për të shmangur përshkallëzimin. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një bisedë telefonike me kryeministrin kinez Li Qiang, kërkoi “përmbajtje dhe zgjidhje të negociuar”.
Por retorika e Trump duket se shkon në drejtim të kundërt, duke sinjalizuar kënaqësi nga presioni që tarifat po ushtrojnë mbi partnerët tregtarë të SHBA-së. “Po vdesin të bëjnë marrëveshje! Po na thërrasin për të na puthur të pasmet,” tha ai, duke përdorur stilin e tij të njohur, të drejtpërdrejtë dhe sfidues, që ka ndarë opinionin si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Analistët janë të ndarë në mendimet e tyre: disa e shohin këtë si një lëvizje taktike për të detyruar partnerët të ulen në tryezën e bisedimeve me kushte më të favorshme për SHBA-në, ndërsa të tjerë shprehen se një përshkallëzim i tillë mund të thellojnë ndarjet.
Për momentin, sytë janë të gjithë te Pekini dhe Brukseli dhe se si ata do t’i përgjigjen jo vetëm tarifave, por edhe fjalëve të Trump./ S,M