Ish-punonjësi i IT pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Arnold Rrokaj, i cili disa ditë më parë arriti të thyente email-et e disa prej prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), është shprehur se është shtyrë vetëm nga kurioziteti.
Rrokaj pranoi se ia kishte dalë mbanë të thyente e-mailet e tre prokurorëve, duke kopjuar prej andej komunikime hetimore për tre çështje. Ndërkohë, është e qartë për grupin e hetimit se i dyshuari, me detyrë të mëparshme punonjës pranë IMT, ia ka kaluar më tej të dhënat Zambak Gjonit, edhe ai me profesion jurist, si dhe ish-zyrtar i burgjeve, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Por grupi i hetimit është i bindur që i riu nuk ka thënë të vërtetën. Sulmi, siç njoftoi zyrtarisht SPAK, u sinjalizua në datën 12 mars 2025, por në harkun e 48 orëve janë identifikuar dy bashkëpunëtorët, ndaj të cilëve u vendos arrest në burg.
Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, njëherazi urdhëroi ‘ndalimin e publikimit të dosjes’, përderisa hetimet po vazhdojnë ende për të zbardhur të gjithë skenarin.
Çështja po hetohet për grup kriminal. SPAK ka njoftuar zyrtarisht se pas një hetimi administrativ është konstatuar se hakeruesit nuk kanë arritur të hyjnë në sistem.
Ndërsa vijojnë analizat e brendshme hetimore për të konkluduar se çfarë përmbante posta elektronike e tre prokurorëve, të cilët dyshohet se kishin fjalëkalime të lehta të emailve.
SPAK njoftoi për publikun se ishte tentuar të thyheshin kodet e sigurisë edhe në kompjuterin e kryeprokurorit të Posaçëm, Altin Dumani, por pa sukses.
Çështja e këtij sulmi po hetohet nga prokurori Bledar Maksuti, i cili gjatë masave të mbajtura ndaj dy të dyshuarve, i ka kërkuar gjykatës të nxjerrë urdhrin që do të thotë marrje nën përgjegjësi të kujtdo që publikon të dhëna nga fashikulli./k.k