Nga Frrok Çupi
Një anëtar i lëvizjeve terroriste anti-shqiptare greke, i dënuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë dhe për përdhosje të nderit të atdheut të shqiptarëve.
Vladimir Majakovski, gjeorgjiani i famshëm, poet e artist, dramaturg e aktor…, këto fjalë i shkroi para një shekulli, aty nga 1917. Po vinte Lenini. Poeti shkroi se kur je i vetëm, je asgjë. ‘Njëshi zero e fyll/ Njëshi send i kotë…’
Instinkti ‘revolucionar’, jo kultura- me siguri, e çoi një Lëvizje politike revolucionarë të Tiranës drejt instinktit të ‘Njëshit’. Fillimisht e nxiti numri ‘1’ që doli nga shorti i zgjedhjeve. Që në atë moment, kryetari i kësaj partie, ngriti dy gishtat, shpartalloi shpatullat, i dha hapit një dimension si në pushtimin e selisë së PD në 8 janar 2022, dhe thërriti: ‘Jemi 1’.
E zhvilloi më tej e tha se ‘Fati na dha të drejtë të jemi 1’.
-Sepse jemi Njësha!- u tha gazetarëve në zyrën e ndërtuar nga Enver Hoxha dhe të pushtuar me zjarr e me hekur nga Sali Berisha.
Ky ishte Njëshi i fillesës. E di ai se numri është një gjë bosh, por merr e jep me ‘luftëtarët’ e tij të marrë. Ata nuk dinë asgjë nga çfarë ka në kokë lideri. Në kërkim të përforcimit të numrit ‘1’, i erdhi rasti të gjente edhe dy ‘Njësha’ të tjerë. Data 11. Mori vendim, krejt i vetëm, Njësh:
-Në ditën 11 të prillit hapim fushatën elektorale të partisë sonë revolucionare!, deklaroi.
Në 11 Maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend. Shansi i ’11 Prillit’, për Sali Berishën është ‘fake’. Erdhi rasti që diktatorit t’i bënte një homazh, të paktën. Por prapë edhe ai nuk ndodhet mbi tokë. Në 11 Prill 1985 ka vdekur Enver Hoxha, një datë që shumica absolute e popullit nuk e kujton. Por Sali Berisha e ktheu në kujtesë, madje i dha edhe vlerat e një manifestimi politik në shoqërinë pluraliste.
Prapë një kotësi, si ‘Njëshi send i kotë’
Kryetari Partisë ‘1’ është i vetmi që ka mbetur i gjallë, që e ka të lidhur ekzistencën sa me jetën edhe me vdekjen e Enver Hoxhës. Sa ishte në jetë diktatori, Saliu gjente çaste romantike të diktatorit dhe shkëmbente lëvdata, ‘lëvdue qoftë i madhi zot!’. Një meshë në kohë bosh e të ndaluar. Edhe kjo njësh e ‘send i kotë’. Ditën që Enveri shkoi n’at jetë, Saliu u dend në lot: Ku do të gjente një punë si ajo, një shërbim ndaj një kolosi si Enveri.
Ishte data 11.
Ja ku jemi në ‘Njësh- llëkun’ si një send i kotë:
Partia numër 1, shpalli se do të bëjë Shqipërinë ‘Njësh, Madhështore’. Kurrkush nuk mori vesh çfarë do të thotë, dhe fjala madhështore mbeti vetëm. Filluan ta thërrasin ‘Saliu madhështori’. Madhështorja do të bëhej nga një Njësh. Njëshi i parë u soll nga Amerika: ‘La Civita është Njësh!’, tha Berisha. Njëshi do të ndërtonte Shqipërinë me ushtarë zero. Por që atë ditë, një muaj e ca, La Civita ka humbur, bosh, send i kotë.
Pastaj Partia- 1, shpalli programin konservator:
Dinjitetin:
Sa tha këtë fjalë, aty u shfaqen pisllëqet e zgjedhjeve dhe ham- hamet brenda Partisë. Pa pikë dinjiteti. Nisën vjedhjet e shoqi- shoqit, dolën vilat, pazaret, vrasjet. U kujtua edhe kryetari i parë, me arkivolin e tij thyen dyert e selisë së qeverisë. Po ku përdoret i vdekuri i çekiç, ky është dinjitet?!
Familjen!, thanë
Po ç’familje? Një baba, kryetar i partisë 1, i ka shtyrë fëmijët që të sulen si ‘këlyshë’ dhe të vjedhin. Vidh djali, vidh vajza, vidh dhëndëri, vidh gruaja. Babai vidh por edhe vrit. Familja është non- grata në Amerikë dhe në Angli. Kjo është ‘njësh e send i kotë’.
Atdheun e kemi Njësh:
Sapo e tha, edhe në dhè të huaj i doli përpara Beleri. Një anëtar i lëvizjeve terroriste anti- shqiptare greke, i dënuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë dhe për përdhosje të nderit të atdheut të shqiptarëve. Kombi! Pastaj i doli zonja Bakojanis me të cilin kishin lënë një fjalë. ‘Ku ma ke detin që më fale, Sali?”. Aty shfaqen skenat kur Saliu me të tijtë dogji fabrika, uzina, shkolla institucione… Mbeti zero, as Njësh. Për Atdheun dhe kombin lidhi besë e naftë me kasapin e shqiptarëve, Milloshevic.. Atdheu i doli send i kotë.
Zotin!, thanë:
Zoti u shfaq nga lart një natë të turbullt, pak më lart se kati i tetë i pallatit dhe tundi gishtin: ‘Mos ma ndot emrin se ta rroposa katin tënd!’.
Njëshi si fiksim./ S,M