Pse ringrihen hekurudhat?

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatos Çoçoli

15 vite më parë, në vitin 2010, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian i kërkuan gati me lutje qeverisë sonë, që të merrte parasysh interesimin e jashtëzakonshëm të Brukselit për të realizuar ndërlidhjen për rrjetin rrugor multimodal(rrugë, hekurudha, porte dhe aeroporte) TEN-T, përmes hekurudhave elektrike.

Hekurudhat e harruara të Shqipërisë

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vinin në dispozicion fonde të shumta dhe kërkonin, sipas formulës së atëherershme, vetëm 10 përqind kontribut financiar nga qeveria jonë. Për fat të keq, në atë kohë, qeveria ishte e interesuar për vota përmes rrugëve rurale. Ato ndërtoheshin shpejt dhe bëheshin gati në kohë, për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Hekurudhat, krahas kohës se gjatë të prokurimit përmes strukturave të BE-së, që lypte të paktën një vit, kërkonin një periudhë ndërtimi nga 4 deri në 7 vite.

Interesimi financiar i BE-së për hekurudhat në Shqipëri
– Fondet potenciale për Shqipërinë 2010-2013                              400-500 milionë euro
– Interesimi dhe lobimi i qeverisë shqiptare për hekurudhat            zero

Kështu u la pas dore një shans i mrekullueshëm për ekonominë dhe mbarë shoqërinë tonë, për t’u pajisur me rrjetin hekurudhor më modern në Ballkanin Perëndimor, ngaqë të gjitha hekurudhat do të ishin elektrike. Ndryshkun e binarëve të shkulur dhe të braktisur, Shqipëria shumë lehtë mund ta kishte zëvendësuar me projekte hekurudhash elektrike në vitet 2010-2013

Në vend që në atë kohë, e gjithë qeveria të angazhohej për një lobim të fortë me Brukselin për të pajisur vendin me rrjet modern hekurudhash, zyrtarët tanë më të lartë të Ministrisë së Integrimit dhe të Ministrisë së Financave u lypnin drejtuesve të Komisionit Evropian të paktën ndonjë projekt sado të vogël për rrugët rurale. Gati ua kërkonin si nder personal, që të mbanin postin!

Më në fund po ndërtojmë hekurudha!

Për fat të mirë, situata tani ka ndryshuar dhe sidomos, që nga viti 2019, projektet madhore për rrugët dhe portet kanë marrë vrull të mirë. Me këmbëngulje dhe punë kostante bindëse pranë strukturave financuese të Bashkimit Evropian, Ministria jonë e Infrastrukturës dhe Energjisë ia ka dalë që të shkëpusë nga Brukseli financime të rëndësishme për hekurudhat elektrike tek ne.

Pjesa e BE-së në tre hekurudha elektrike të Shqipërisë
– Hekurudha Durrës-Rinas-Tiranë                                 72.4 mln euro (duke u disbursuar)
– Hekurudha Durres-Rrogozhinë                                    90.5 mln euro (të kontraktuara)
– Hekurudha Vorë-Hani i Hotit                                        122.2 mln euro (në negocim)
– Totali                                                                              285.1 mln euro

Kosto totale e hekurudhës Durrës-Rinas-Tiranë është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro janë dhuruar, grant nga Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, një strukture me fonde nga Bashkimi Evropian, ndërsa 36.9 milionë euro janë kredi e butë e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim(BERZH). Pjesa tjetër po financohet nga qeveria shqiptare.

Lexo edhe :  As kredia nuk mjafton për të blerë shtëpi!

Rëndësia strategjike e Durrës-Rrogozhinë

Më 8 prill 2025, në Tiranë u nënshkrua një paketë financiare e BE-së me vlerë 90,5 euro, për rindërtimin e hekurudhës Durrës–Rrogozhinë, ndërmjet Bankës Evropiane të Investimeve (BEI Globale) dhe qeverisë së Shqipërisë. Fondet përbëhen nga një grant i BE-së me vlerë 60,5 milionë euro, i dhënë nga mekanizmi i BE-së që quhet Kuadri i Investimeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Europiane për Investime(BEI) Globale. Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës në Shqipërinë qendrore.

Ky segment shtrihet në Korridorin e VIII-të multimodal(rrugë tokësore, detare dhe ajrore), i cili lidh portet e Italisë Jugore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim domethënës i rrjetit paneuropian TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.  Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro.

Projekti do të krijojë vende të reja pune, do të rrisë tregtinë dhe do të përmirësojë konektivitetin e e Shqipërisë, duke e afruar atë më pranë fqinjëve të saj në rajon dhe më pranë Bashkimit Evropian. Hekurudha gjithashtu do të shërbejë si një rrugë kritike midis Shteteve Anëtare dhe NATO-s për mobilitetin ushtarak në Evropën Juglindore, që është jashtëzakonisht e rëndësishme, në situatën aktuale të sigurisë.

Paratë totale për hekurudhat deri në vitin 2027
– Hekurudha Vorë-Hani i Hotit                                     400 mln euro
– Hekurudha Durres-Rrogozhinë                                 120.5 mln euro
– Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës                                91.5 mln euro
-Totali                                                                            612 mln euro

Duke parë projektin Durrës-Rinas-Tiranë  në zbatim me 80 përqind të punimeve të mbaruara, projektin Durrës-Rrogozhinë të sapokontraktuar më 8 prill 2025, si dhe projektin Vorë-Hani i Hotit, në bisedim intensiv për të arritur në një kontratë financimi dhe zbatimi, mund të themi se realisht hekurudhat si sistem modern transporti po ringrihen tek ne./   S,M

Të fundit

Miliardierja më e re në botë që ia kalon dhe Taylot Swift, u bë e pasur nga AI

Lucy Guo, 30 vjeç, ka kaluar këngëtaren dhe kompozitoren Taylor Swift për t'u bërë miliarderja më e re në...

Berisha në Gjirokastër: Vendi është zhytur në mjerim, ka familje që s’hanë dot tre vakte

Sali Berisha mbrëmjen e sotme ishte në qytetin e Gjirokastrës, ku përveç prezantimit të kandidatëve për deputetë të këtij qarku për koalicionin “Aleanca për...

KPK e shkarkoi nga detyra prokurorin e Tiranës Bajram Breçani, KPA e rikthen

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rikthyer në detyrë prokurorin e Tiranës Bajram Breçani, i cili u shkarkua nga detyra nga KPK. Trupi gjykues i...

Pete Davidson nis procesin e dhimbshëm të heqjes së tatuazheve: Më duhen 10 vite

Pete Davidson, aktori i njohur amerikan, ka zbuluar se ka nisur një proces të gjatë dhe të dhimbshëm për të hequr më shumë se...

Shehaj në Kukës: Kryeministri gënjen haptazi kur thotë se mbështet Altin Dumanin

Nga takimi i fushatës në Kukës, Agron Shehaj akuzoi kryeministrin Edi Rama për hipokrizi të thellë në lidhje me drejtësinë dhe mbështetjen e SPAK-ut,...

Lajme të tjera

Web TV