Ndër shumë përcetime dhe pritshmëri të tjera, sondazhi i fundit i realizuar nga Report TV në bashkëpunim me Institutin Piepoli, i transmetuar dje (10 prill 2025), tregoi se qytetarët shqiptarë presin nga qeveria që do dalë nga zgjedhjet e 11 majit kryesisht ulje çmimesh.
89% e të anketuarve presin uljen e çmimeve, 85% kërkojnë rritjen e pagave, ndërsa 69% theksojnë nevojën për uljen e taksave.
Për të folur lidhur me rritjen e çmimeve të ushqimeve të shportës, eksperti Ergis Sefa ishte I ftuar “Sot Live në Shqipëri” me Nertil Agalliun në Report Tv.
Sefa theksoi se arsyeja kryesore përse çmimet e ushqimeve të shportës kanë pësuar një rritje të ndjeshme është sepse kemi të bëjmë me një grumbullim të pikave të shumicës së furnizimit në vetëm pak duar.
“Një nga arsyet pse partitë e mëdha politike dhe ato të reja janë fokusuar të pjesa e rritjes së pensioneve dhe pagës minimale është pikërisht kjo, nevoja që ka shoqëria dhe komunitete të caktuara për të mbuluar shpenzimet bazë. Kemi arritur në atë pikë që po flasim për shpenzimet bazë, po flasim për shpenzimet e shportës, nuk ka asgjë më poshtë se kjo. Padyshim që ka shumë arsye pse kemi rritje të disa produkteve dhe jo të disa të tjerave. Nëse shikojmë inflacionin në përgjithësi kemi rritje 2.1% që na duket e vogël, por po të shikojmë vetëm atë të ushqimeve të shportës, është më shumë se dyfishi”,-tha Sefa.
“Një ndër faktorët kryesor është fakti që kemi të bëjmë me një grumbullim të pikave të shumicës së furnizimit në vetëm pak duar. Ekonomikisht ka një vështirësi të madhe: nga njëra anë ka një forcim të lekut, ka një ulje të euros dhe për çdo mjet mall importi ne teorikisht e paguajmë më lirë. Për sa kohë e paguajmë më lirë se euro është zhvlerësuar pse atëherë nuk reflektohet të jetë më lirë dhe në çmimin përfundimtar. Sepse është në pak duar”,- shtoi ai.
“Kemi një vonesë të hyrjes në treg nga prodhimi vendas dhe stokut që është nga importi. Tani ç’po bëjnë ofruesit e shumicës, duke qenë se kanë një stok importi duan ta nxjerrin në treg dhe të përfitojnë sa më shumë ekonomikisht duke rritur çmimet në një kategori të caktuar, që kur të futet prodhimi vendas do detyrohen ta ulin. Këtu duhet të hyjnë masat shtetërore qeveritare që të krijojnë një balancë në këtë hapësirë, ndërmjet importit dhe sa të hyjë prodhimi vendas. Kjo diçka që nuk e shohim, mos të harrojmë që po përfitojnë edhe nga një formë hutimi si pasojë e fushatës”,- u shpreh më tej./e.t