Drejtuesja e Forumit të Grave Socialiste, Evis Kushi, në nisje të takimit ”Vajzat dhe Gratë Socialiste për Shqipërinë 2030” që po mbahet në TKOB, foli për hapat e saj në politikë dhe ftesën që mori nga PS.
“Pranova për dy arsye sepse kuptova që suksesi i individit është i lidhur ngushtësisht edhe me jetën e fqinjit. Prandaj e vlerësova ftesën si mundësi të mirë që të bëja diçka për qytetin tim të dashur, Elbasanin. Së dyti, pranova të jepja kontributin tim modest në modelin e të bërit politik, pa urrejtje, shpifje dhe baltë, por me komunikim njerëzor dhe këtë jam përpjekur të bëj çdo ditë”, tha Kushi.
Më pas, ajo tha se ka mbajtur detyra të ndryshme në PS, por më shumë rëndësi për të ka posti si drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste të Shqipërisë. Kushi shtoi se nga një “shtëpi” burrash, PS tashmë është kthyer në një parti për të gjithë, ku gratë përbëjnë 36 për qind.
“Kam pasur nderin që brenda PS të mbaj detyra të ndryshme por s’ka privilegj më të madh se sa të drejtor Forumin e Gruas Socialiste të Shqipërisë. Sot jemi rreth 38 500 gra dhe vajza në familjen tonë të madhe socialiste, rreth 36% dhe një nga vendimet më të mira që kemi marrë ka qenë bashkë drejtimi i organizatave nga një burrë dhe grua. Kur Rama lancoi këtë nismë në 2019, shumë pak besuan se mund të bëhej realitet, por sot funksionon në 95 për qind të organizatave në të gjithë vendin. Së bashku ne i kemi dhënë vendit energjinë dhe kreativitetin e grave, delikatesën, qëndrueshmërinë dhe pasionin. E kemi shndërruar PS nga shtëpia e burrave të fortë, në partinë e hapur për të gjithë, në shpresën e të gjithë shqiptarëve për progres.”, u shpreh mes të tjerash Kushi./e.t