Partia Demokratike çel sot (11 prill) fushatën e saj elektorale për zgjedhjet e 11 majit, me shpresën se grupimi më i madh opozitar do dalë fitues në fund të garës.
E ftuar në emisionin “Ekspres” në RTSH 1, deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila kërkon një tjetër katërvjeçar në Parlament, tha se pritshmëritë e PD-së janë për të siguruar 19 mandate në kryeqytet.
“Mund të ketë shumë surpriza, por e sigurt është që Partia Demokratike më 11 maj do të tregojë që ai tërmeti që e shkundi këto tri vite i bëri mirë dhe përballja me kundërshtarin jo vetëm që është qëllimi kryesor gjatë kësaj periudhe, por do të tregojë që është edhe alternativa më e mirë qeverisëse. Opozita do të fitojë më 11 maj!” u shpreh znj. Tabaku.
Duke sjellë këndvështrimin e një zonje që doli ndër të parat në garën e brendshme politike të zhvilluar këtë vit, kandidatja Tabaku theksoi se vendosjen e saj në një listë të hapur zgjedhore, pavarësisht rezultatit të “primareve”, ajo po e pret si një sfidë të radhës.
“Për mua ishte një privilegj i veçantë mbështetja e demokratëve. Partia nuk ishte në një situatë të lehtë gjatë tri viteve. Për mua ishte një shenjë inkurajimi. Vendimet u morën në këtë mënyrë. Vendosja ime në listë të hapur mund të jetë edhe strategji elektorale. Për mua kjo është e shkuar. Unë jam në një betejë të re, në një sfidë të re, të cilën e kam nisur me përgjegjësi të madhe, por edhe si një sfidë, për ta përdorur edhe për veten time për t’u rritur, për ta parë angazhimin në fushatën elektorale krejt ndryshe nga si e kam parë më parë. Të gjithë duhet të shohim nëse ajo që kemi ndërtuar gjatë karrierës politike ka shërbyer për mirë, si na perceptojnë njerëzit,” deklaroi znj. Tabaku.
Për shkak të modelit si është ndarë vendi në këto zgjedhje, fushata e kandidatëve të Tiranës është e përqendruar në disa zona të veçanta, jo vetëm te “tiranasit”.
“Ty të duhet të bësh një fushatë në katër-pesë bashki: nga Rrogozhina në Kavajë, në Vorë, Paskuqan, Kamëz, Tiranë, që e bën edhe shtrirjen e vështirë, por edhe më ndryshe kontaktin me njerëzit. Jemi duke folur me njerëz nga më të ndryshmit, të cilët kanë shqetësime nga ekonomia te xhepi, te shqetësimet personale, por edhe me njerëz të mërzitur. Mua më kanë bërë shumë përshtypje historitë njerëzore, se kur ti flet për taksat, për rritjen e tatimit mbi të ardhurat personale, për largimin e të rinjve apo taksën e karburantit, ti flet në teori. Historitë njerëzore më kanë prekur shumë,” tha deputetja demokrate.
Ajo nënvizoi se në 2025-ën, lufta e saj reale është për meritokracinë, ndërsa pikat programore historike të PD-së, si prona dhe të përndjekurit, do i japë zgjidhje përfundimtare brenda mandatit të parë qeverisë nëse e fitojnë atë.
“Është e vërtetë që duhet ta kishte zgjidhur Partia Demokratike, sepse të përndjekurit dhe pronat janë në themel, në palcë të partisë. Janë besime, të cilat kur u krijua Partia Demokratike, njerëzit e kishin shpresë të parë për t’u zgjidhur. Në 2013-tën, me guxim politik, u pranua se çështja e pronave nuk u arrit të zgjidhej. Edhe çështja e të përndjekurve politikë… Por mbas 12 vitesh, kur socialistët kanë pasur mundësinë të bënin shumë gjëra ndryshe, unë besoj që sot kemi gjithë të drejtën që me kokën lart, këto gabime t’i plotësojmë brenda një mandati të parë qeverisës. Ka qenë angazhim i kryetarit z. [Sali] Berisha. Është angazhimi im personal,” tha znj. Tabaku.
Duke u ndalur te thelbi i fushatës së kundërshtarëve politikë, posaçërisht te kryeministri Edi Rama dhe zotimi i tij për t’u garantuar “pasaportën europiane” shqiptarëve brenda katër viteve të ardhshme, deputetja Tabaku fajësoi socialistët se vite më parë e frenuan këtë rrugëtim të sigurt gjatë qeverisjes nga demokratët.
“Shqipëria në vitin 2013 kishte mundësinë e artë që të hapte negociatat. Prej Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, për 12 vite të gjata ato nuk u hapën. Shqipëria është i vetmi rast ku nga tre kritere u bënë pesëmbëdhjetë kritere dhe këto pesëmbëdhjetë kritere kanë qenë pengesa reale… Gjeostrategjia, politika, situata është e tillë që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka kthyer çështjen e integrimit jo më në sfidë për zgjerimin, por në një sfidë për sigurinë dhe kur kërcënohet siguria e rajonit, sigurisht që BE-ja do ta ketë këtë prioritet. Por ky është një proces merite dhe Partia Demokratike këtë proces do ta çojë deri në fund,” deklaroi znj. Tabaku./k.k