Koalicioni “Shqipëria Madhështore” e drejtuar nga Sali Berisha, hapi dje në sheshin “Nënë Tereza” fushatën për zgjedhjet e 11 Majit. Prania e Chris LaCivita dhe fjala e shkurtër e tij në mbështetje të Berishës, por pa anatemuar Ramën. Kreu demokrat Berisha foli për programin dhe shprehu bindje për fitore. Si do të lexohet kërcënimi ndaj Ramës për të mos prekur votën?
Me një skenografi identike me fushatën e Donald Trump, kreu demokrat Sali Berisha i cili shoqërohej nga Chris LaCivita, kreu i fushatës së prei=sdientit amerikan shprehu bindje në fitoren e PD-së. Në nisje të fjalës Berisha u shfaq I përlotur duke pranuar se përgjatë karrierës së gjatë politike nuk kishte ndjerë kaq shumë emocion dhe entuziazëm. Përtej dekorit “paqësor” dhe euforik, në fjalimin e tij gjatë çeljes së fushatës së Partisë Demokratike, kreu i saj Sali Berisha lëshoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor. “Edi Rama, mos prek votën se mbi tokë vend s’do kesh,” tha Berisha, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së votës së lirë të qytetarëve. “Ne besojmë tek Zoti, tek Shqipëria. Më 12 maj të festojmë për Shqipërinë Madhështore, për Shqipërinë që meritojmë. Sirenat e votës së lirë të shqiptarëve po bien. Edi Rama, mos prek votën se mbi tokë vend s’do kesh. Largohu me votë se i ke bërë të këqija të mëdha këtij vendi. Bashkë Shqipërinë e dhimbjes, ta kthejmë në Shqipëri të mirëqenies”-tha Berisha, duke paralajmëruar se nëse do ketë fakte për tjetërsim vote reagimet do jenë të ashpra. Nga ana tjetër për një pjesë qytetarë kjo lexohet si “justifikim” për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve nëse i humbet ato.
Emocion dhe kurajo
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë hapjes së fushatës së PD-së, duke iu drejtuar qytetarëve dhe duke shprehur mirënjohje për mbështetësit e rinj të partisë. “Ne vijmë këtu për të nisur betejën tonë, atë të fitores sonë, të Shqipërisë madhështore. Betejë në të cilën do të ringrihemi sërish. Këto vite e keqja e vuri para vendin tonë. 12 vite ishin të varfërimit, vite në të cilat regjimi bëri gjithçka që të fshijë Shqipërinë pluraliste, të fshijë arritjet e mëdha rrugën e lirisë, kontributin e secilit për dinjitetin kombëtar. Bëri gjithçka që mos keni as emër e as flamur, por ja ku jemi sot më krenarë dhe më të bashkuar së kurrë, të ngritur si Feniski, për të shkuar drejt fitores. Ne mblidhemi sonte me një vështrim të ri për Shqipërinë, me një betim solemn para saj, për ta nxjerrë atë nga kthetrat e këtij regjimi, për të rikthyer projektin e ëndrrave të bijve të saj. 12 vite ishin vite të rënda për çdo shqiptar, 1 në 2 familje nuk ka një fëmijë në vatër. 700 mijë pensioniste qajnë, mijëra të sëmurë nuk marrin ilaçe, sot qindra e mijëra nuk marrin drejtësi, bizneset po falimentojnë dita-ditës, qndra e mijëra vende puna fshihen” – tha ndër të tjera Berisha.
Chris LaCivita, fjalim i shkurtër me mesazhe pa nënkuptime
Në PD shpresonin se Chris LaCivita të mbante një fjalim të fortë në përkrahje të Berishës dhe “sulm” të hapur ndaj Ramës, por strategu I fushatës së Trump zgjodhi të ishte “racional” në fjalën e tij të shkurtër, duke lëshuar më shumë slogane dhe thirrje për të votuar opozitën dhe Berishën. “Kush është gati ta bëjë Shqipërinë madhështore sërish? Në vitin 2024, në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të fusnin në burg Donald Trump. Donald Trump nuk u dorëzua. Ata dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të fusin në burg gjithë opozitën e tyre. Edhe këtu do të dështojnë. Pse? Sepse nuk mund të mbrojnë dot bilancin e 12 viteve të fundit: 12 vite krim, 12 vite drogë, Më shumë se 1 milion shqiptarë janë larguar nga vendi, 12 vite dështim ekonomik. Pse të votoni për partinë që i krijoi të gjitha këto probleme? Votoni për Dr. Berishën. Jepini vendit tuaj mundësinë. Dhe jepini njerëzve shpresë”tha LaCivita.
Pikat e forta të programit, mirëqenies dhe luftë korrupsionit
Kreu i PD, Sali Berisha, teksa ka vijuar fjalimin e tij para qytetarëve demokratë në mitingun e mbajtur në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, u shpreh se projekti i PD mbështet njerëzit e varfër por me dinjitet. “Ne, këtë projekt do ta nisim jo me patronazhistë dhe oligarkët që mban ti përreth, por me ata që qajnë me lot mjerimin, do vendosim minimumin jetim, ne jemi partia e rritjes dhe dyfishimit të rrogave dhe pensioneve. Vetëm në këtë mënyrë u rikthejmë familjeve shqiptare dinjitetin, tek vetja, familja dhe Shqipëria. Qeveria do të vendosë mbi ta taksat më të ulëta që ekzistojnë në Evropë”-tha kreu demokrat. Berisha u ndal tek fenomeni i korrupsionit. Gjatë fjalës së tij theksoi se vendi ynë është me pasuri të mëdha, por korrupsioni dhe keqqeverisja sipas tij e kanë rrënuar vendin. Ai u zotua se do ketë tolerancë zero ndaj korrupsionit. “Të mëkëmbeni, të pasuroheni. Nuk ka një vend të dytë të pasur sa Shqipëria. 0 tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë. Njeriu i ndershëm nuk ka armik më të egër sa korrupsioni. Korrupsioni vret mundësinë e të rinjve. Pastrimi i shtëpisë edhe njëherë, Zoti e do Shqpërinë kur ne ta pastrojmë atë. Zoti vjen në shtëpi kur ne ta pastrojmë atë. Ndaj dhe u garantoj se zero tolerancë ndaj korrupsionit do të jetë motoja jonë. Të dashur miq, njeriu i lirë, njeriu i punës, njeriu i ndershëm nuk ka armik më të egër se korrupsionin e qeveritarëve të tij. Korrupsioni vret mundësitë e të rinjve, vret mundësitë e njerëzve, Korrupsioni mbjell krimin dhe pasigurinë. Korrupsioni mbjell skamjen dhe varfërinë. Jam këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se zero tolerancë ndaj shpërdorimit dhe vjedhjes së pasurive të tyre, parave të tyre. Jam këtu për t’u dhënë fjalën shqiptarëve se auditi i përgjithshëm i narkoshtetit do u rikthejë shqiptarëve qindra miliona euro më shumë të vjedhura prej tyre. Jam këtu para jush për t’u zotuar se organizatat kriminale kudo që janë, në Shqipëri, në Aruba, Dubai, kudo që ndodhen, do vendosen përpara ligjit dhe bashkë me ta ministrat kriminelë, ministrat hajdutë. Ligji dhe vetëm ligji, të drejtat e qytetarëve, shteti ligjor, janë dhe do mbeten motoja jonë. Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore është vetëm Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve. Ndaj dhe Shqipëria do jetë madhështore kur ta shndërrojmë në epiqendër të teknologjive më të larta”-tha Berisha.