Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar programin elektoral të PD-së gjatë një takimi në Pallatin e Kongreseve. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar rëndësinë e mbështetjes për familjen shqiptare dhe ka shpallur disa nisma të reja, përfshirë krijimin e Ministrisë së Familjes dhe ofrimin e bonusit për fëmijën e parë dhe të dytë. Ai shtoi se për fëmijën e tretë, mbështetja do të jetë e vazhdueshme deri në moshën 23 vjeçare.
Berisha ka theksuar se do të sigurohet që çdo fëmijë të ketë një minimum jetik prej 200 euro, duke premtuar gjithashtu mbështetje të vazhdueshme për bizneset e suksesshme. Sipas tij, epiqendra e politikave për familjen është gruaja, dhe do të luftohet për t’i dhënë fund patriarkalizmit dhe dhunës. Ai ka premtuar se gratë dhe vajzat do të mbështeten dhe do të shpërblehen për punën e tyre.
Në fjalën e tij, Berisha ka kritikuar gjithashtu mizogjininë, duke e akuzuar një person të caktuar për nxitjen e dhunës ndaj grave dhe për heshtjen kur ato janë viktima. Ai ka përmendur se gratë dhe vajzat do të jenë ato që do të çojnë vendin përpara dhe do të mundësojnë ndryshimet e nevojshme në shoqëri.
Sali Berisha: Do të kemi Ministrinë e Familjes, do të zbatojmë politikat më të avancuara të mbështetjes të familjes shqiptare. Bonus për fëmijën e parë, për të dytin. Do mbështetet nga lindja deri në 23 vjeç për fëmijën e tretë. Sot me qindra familje janë me nëna kryefamiljare. I garantoj se do të bëjmë gjithçka për të zgjidhur çdo mungesë që kanë, fëmijët e tyre do kenë 200 euro minimum jetik. Qeveria do bëjë gjithçka për biznesin e sukseseve të tyre. Tek flasim për familjen, është e qartë se epiqendra saj është gruaja, nëna, vajza shqiptare. Ndaj zotohemi këtu para jush se do të luftojmë me ju të rrëzojmë murin e patriarkalizmin, të dhunës. Këtë mur që mban gjallë diferencat mes nënës dhe babit, midis motrës dhe vëllait, vajzës dhe djalit. U garantoj vajzat se do bëhet gjithçka për biznesin e tyre, do të mbështeten me linja të veçantë. Ato që quhen shtëpiake do të shpërblehen për punën e tyre.
Njeriu më mizogjen. U detyrua të thoshte se na ka pa syri i keq. Po ti je e keqja vetë mo. A ka të keqe më të madhe se ai që i largon nënës vajzën dhe djalin drejt rrugëve të botës. A ka më keq se t’u largohesh burrin nga shtëpia për t’u siguruar kafshatën. Me mizogjininë tënde je bërë i famshëm. Po nxit dhunën kundër grave. E ka në borxh të përrallisë, por një fjalë nuk flet kur një grua dhunohet apo vritet. Është një mizogjen i pakorrigjueshëm. Gratë dhe vajzat do të jenë ato që do e çojnë aty ku e meriton./e.t