Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e ka cilësuar mungesën e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë si një emergjencë kombëtare, duke theksuar se situata ka arritur në një pikë kritike që kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga legjislativi dhe ekzekutivi. Sipas raportit vjetor të vitit 2024 të dorëzuar në Kuvend, fluksi i madh i punës dhe mijëra dosje të prapambetura janë bërë një barrë e madhe për sistemin gjyqësor.
Apeli vë në dukje se reformimi i hartës gjyqësore në vitin 2023, që ishte një hap për përmirësimin e sistemit, është ende shumë larg realizimit. Gjithashtu, Apeli e ka kritikuar Këshillin e Lartë Gjyqësor për mungesën e përpjekjeve të mjaftueshme për përshpejtimin e promovimit të gjyqtarëve të rinj dhe për shtimin e ndihmësve ligjorë, të cilët aktualisht janë vetëm 22, duke krijuar një raport të paqëndrueshëm me numrin e gjyqtarëve.
Një tjetër problem i rëndësishëm është mungesa e ambienteve të përshtatshme për zhvillimin e gjyqeve, përfshirë sallat e gjyqeve dhe ato për arkivën, të cilat e vështirësojnë dhënien e drejtësisë. Për të lehtësuar këtë situatë, qeveria ka ndarë një godinë të Tatimeve për Gjykatën e Apelit, që pritet të përdoret për të zbutur problemet infrastrukturore.
Me vetëm 26 gjyqtarë, gjykata ka arritur të shqyrtojë 9,850 çështje gjatë vitit 2024, por me 41,700 dosje të prapambetura, është e qartë se ngarkesa është e padurueshme. Nëse asnjë dosje e re nuk regjistrohet, me këtë numër gjyqtarësh, do të duhen rreth 4 vjet dhe 3 muaj për të shqyrtuar të gjitha dosjet e prapambetura, sipas mesatares së vitit 2024. Ky rezultat është përmirësuar krahasuar me vitin 2023, por është ende shumë larg standardeve ndërkombëtare të efikasitetit të gjykatës./E.T