Kush e rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në Evropë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Klima gjeopolitike rajonale, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, e ka shtyrë Brukselin të hidhet në veprim, por dritarja e re mund të mos qëndrojë e hapur për shumë kohë…

Me objektivin e vitit 2030 të vendosur tashmë në tavolinë, Shqipëria, një vend kandidat që nga viti 2014, po shkon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Qeveria shqiptare ka vendosur një objektiv shumë ambicioz për të përfunduar negociatat deri në vitin 2027, dhe për të përfunduar procesin e ratifikimit brenda 3 viteve në vijim.

“Ne nuk do të pushojmë derisa të hyjmë në derën e Bashkimit Evropian dhe të ulemi në të njëjtën tryezë me vendet e tjera anëtare!”- deklaroi kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat pak ditë më parë, së bashku me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Ndërkohë, Kallas, që kreu një turne rajonal në Ballkanin Perëndimor tha se “është jetike ruajtja e ritmit të lartë të reformave”. “Unë e kuptoj se reformat janë gjithnjë shumë të vështira”- theksoi ajo, teksa shtoi se “e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”.

Shqipëria nuk ka qenë gjithmonë në krye të garës për anëtarësimin në BE. Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që fitoi statusin e kandidatit që në vitin 2005. Ndërsa përparimi i Maqedonisë së Veriut ka ngecur që atëherë, ishin Mali i Zi dhe Serbia, ato që përparuan më shpejt vitet e fundit, duke hapur negociatat përkatësisht në vitet 2012 dhe 2014.

Shqipëria mori statusin e kandidatit në qershor 2014, menjëherë pas një operacionit të gjerë policor kundër kultivimit të kanabisit në fshatin Lazarat në Gjirokastër, që synonte të qetësonte anëtarët e BE-së në Evropën Perëndimore, se zgjerimi do të sillte një valë të re droge dhe krimi.

Këto shqetësime u zbutën gradualisht nga reforma e gjerë e sistemit gjyqësor e nisur nga qeveria, e cila u përball me opozitën politike dhe protesta të dhunshme për të frenuar ndryshimet e kërkuara. Procesi i reformës në drejtësi, filloi në vitin 2016 me ndryshime gjithëpërfshirëse kushtetuese dhe kulmoi me krijimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) në vitin 2019.

SPAK ka ndjekur penalisht një sërë figurash të profilit të lartë – përfshirë deputetë, ministra dhe kryebashkiakë – dhe është kthyer në një simbol të progresit institucional të Shqipërisë. Por progresi i anëtarësimit të Shqipërisë, ngeci për arsye që nuk kishin të bënin me performancën e saj, por me problemet e vendit fqinj, Maqedonisë së Veriut.

Të dy vendet u bashkuan së bashku në procesin e anëtarësimit, por Maqedonia e Veriut u bllokua në mënyrë të përsëritur nga kërkesat e vendosura nga fqinjët e saj anëtarë të BE-së, fillimisht Greqia dhe së fundmi Bullgaria. Ngërçi vazhdon, pasi qeveritë e njëpasnjëshme në Shkup e kanë pasur të vështirë të miratojnë ligjet tejet jopopullore të kërkuar nga Bullgaria.

Ndërkohë, Shqipëria ka ecur përpara. Konferenca e saj e parë ndërqeveritare që shënoi fillimin zyrtar të negociatave të pranimit u zhvillua në korrik 2022, teksa pushtimi rus i Ukrainës e detyroi Brukselin të rimendonte politikën e tij të zgjerimit.

Shqipëria ka hapur tashmë negociatat në kapitujt kryesorë, që kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe luftën ndaj korrupsionit. Në zhvillimet më të fundit, Shqipëria mbajti në dhjetor 2024 konferencën e tretë të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjatë së cilës nisën negociatat për Kapitujt 6 dhe 30 mbi marrëdhëniet e jashtme, dhe Kapitullin 31 për sigurinë dhe mbrojtjen.

Lexo edhe :  Kandidatja e Berishës, dalë nga Big Brother, i përgjigjet Ramës/ O zemra, ne jemi artista

Ndër vendet e tjera nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi po shkon në mënyrë të qëndrueshme më pranë anëtarësimit. Viti 2028 është përcaktuar si datë objektive e anëtarësimit. Serbia është përballur me paralajmërimet për ngrirjen e procesit, nëse nuk sillet në përputhje me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë.

Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës. Kohët e fundit, Komisionerja e sapoemëruar Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, përmendi Shqipërinë dhe Malin e Zi (dhe jo Serbinë apo Maqedoninë e Veriut) si dy kandidatët kryesorë në mesin e kandidatëve të Ballkanit Perëndimor, me një “perspektivë realiste” për të përfunduar negociatat deri në vitin 2026 ose 2027.

Megjithatë bisedimet e pranimit të Shqipërisë në BE, shihen ende si një garë me kohën. Procesi i zgjerimit të BE-së, ka qenë prej kohësh i diktuar nga inercia dhe skepticizmi i brendshëm, teksa lodhja e zgjerimit filloi që pas raundeve të mëdha të zgjerimit të fillimit të viteve 2000.

Shqipëria është përballur me shumë veto dhe vonesa. Klima gjeopolitike rajonale, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës, e ka shtyrë Brukselin të hidhet në veprim, por dritarja e re mund të mos qëndrojë e hapur për shumë kohë. Kos bëri thirrje në mars për një riformulim themelor të procesit, dhe në vend të termit “zgjerim”, ajo preferoi termin “bashkim i Evropës”.

Ajo paralajmëroi edhe për kërcënimet e reja ndaj unitetit të Evropës: “Për herë të parë, jemi dëshmitarë të një situate, ku nuk zbatohet më procesi tradicional i vendeve kandidate që plotësojnë kushtet dhe më pas anëtarësohen në BE. Forcat e jashtme, po kërkojnë në mënyrë aktive të bllokojnë disa vende nga anëtarësimi, diçka e paprecedentë në zgjerimet e kaluara”.

Shqipëria gëzon mbështetjen më të lartë publike në rajon për anëtarësimin në BE, 77 për qind, krahasuar me një mesatare rajonale 54 për qind, sipas një raporti të dhjetorit 2024 nga Këshilli Europian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR). Ajo zbaton 100 për qind politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, dhe ka qenë e palëkundur në mbështetjen e saj për Ukrainën.

Por në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, klima politike në Shqipëri është gjithnjë e më e tensionuar. Opozita akuzon Partinë Socialiste të Edi Ramës – në pushtet që nga viti 2013 – se po përdor SPAK-un për të goditur kundërshtarët, ndërkohë që nuk po arin të sjellë ndryshime sistematike.

Ndërkohë, Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës është e përçarë nga konfliktet e brendshme dhe kreu i saj, Sali Berisha, është në listën e zezë të SHBA-së. Sipas analistëve të ECFR “kjo klimë rrezikon të ndikojë shumë në ritmin dhe cilësinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.

Në këtë fazë kritike, është jetike që Shqipëria të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit dhe SPAK, që këto institucione të trajtojnë në mënyrë të pavarur korrupsionin e nivelit të lartë. Raporti thekson po ashtu se Shqipëria “mund të bëhet një tjetër histori suksesi, krahas Malit të Zi, në valën e fundit të zgjerimit të bllokut”, por vetëm nëse ruhet vullneti politik nga të dyja palët.

Shqipëria po përjeton momentin e saj në garën për anëtarësim në BE. Por ndërsa dera e BE-së mund të jetë aktualisht e hapur për Shqipërinë, shumë njerëz në Tiranë kanë frikë se ajo nuk do të qëndrojë e tillë pafundësisht./   S,M

Të fundit

Dafina Zeqiri i bleu “Lamborghini” djalit pa lindur ende, komentuesit e “kryqëzojnë”

Dafina Zeqiri, këngëtarja e njohur shqiptare shumë shpejt do të bëhet mami i një djali. Ndërsa pritjes së ëmbël...

Përplasi me makinë punonjësin e Ministrisë teksa kalonte rrugën, arrestohet shoferi

Është arrestuar 62-vjeçari i cili një ditë më parë përplasi para Ministrisë së Jashtme një prej punonjësve të ministrisë, teksa ky i fundit ishte...

Putin takon emirin e Katarit, kritikon mbështetjen turke për opozitën siriane

Gjatë një takimi në Moskë me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti rus Vladimir Putin bëri një deklaratë të fortë me...

Andrew Tate i dhurohet një Tesla Cybertruck me targa shqiptare

Influencuesi britaniko-amerikan, Andrew Tate, ka qenë një nga emrat më të diskutueshëm të viteve të fundit. Ai së bashku me të vëllanë janë të përfshirë...

Portreti që tronditi botën shpallet Fotografia më e Mirë e shtypit Botëror për vitin 2025

Një portret prekës i një djali të vogël nga Gaza, që po rikuperohet nga plagët e luftës, është shpallur Fotoja e Vitit nga World...

Lajme të tjera

Web TV